Statusi i naftëtarit/ Balluku: Procesi drejt fundit, 1400 dosje janë përpunuar

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi të hënën në Kuvend se procesi për dhënien e statusit të naftëtarit po ecën shpejt dhe është drejt fundit.

Në fjalën e saj në Kuvend në seancën për diskutimin e çështjeve të evidentuara nga zgjedhësit, ministrja Balluku u shpreh se rreth 1400 dosje janë përpunuar gjatë këtij viti.

Por, ministrja theksoi se ka një problematikë të madhe që lidhet me dokumentacionin për shkak të arkivave të vjetër.

“Na duhet patjetër ti hapim rrugë një automatizimi dhe një dixhitalizimi të këtyre arkivave, pasi do të nevojiten dhe në të ardhmen. Po ashtu, Albpetrol duhet të lëshojë të gjitha vërtetimet për këtë proces”, deklaroi ministrja Balluku.

Nga ana tjetër ajo informoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke ndërmarrë të gjitha ndryshimet e nevojshme, pasi ne i kemi dërguar draftin tonë, në mënyrë që të dalin aktet nënligjore që do të bëjnë të mundur procesin./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.