Raporti i KE/ Balla: Vlerësoi arritjet e Shqipërisë, i bindur në mbështetjen e Francës

TIRANË, 2 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot në Kuvend se “raporti i Komisionit Europian vlerëson pozitivisht Shqipërinë në të gjitha hapat e hedhura që nga raporti i fundit”.

“KE vlerëson që për sa i përket Vetingut ka ecur në mënyrë të shkëlqyer, por edhe institucioneve të reja të drejtësisë dhe zbatimi i plotë i deritanishëm i reformës në drejtësi ka vlerësimin maksimal”, tha Balla.

Balla tha se “Reforma në Drejtësi ka qenë dhe mbetet guri i themelit i rrugës europiane të Shqipërisë, është hapi më i madh që ka ndërmarrë Shqipëria në 30 vite”.

“Vlerësimi i sotëm i KE-së për t’i rirekomanduar Këshillit në fund të marsit fillimin e bisedimeve për anëtarësim është një moment sa i rëndësishëm edhe krenarie”, tha Balla.

Ai vlerësoi opozitën parlamentare me të cilin tha se “kemi punuar në mënyrë rigoroze dhe kemi miratuar shumë ligje me shumicë të cilësuar”. “Ky është një dallim i madh që ju ndan ju me opozitën e rrugës. Duhet ta përmbyllim sa më shpejt fazën e parë të Reformës Zgjedhore që lidhet me adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ne jemi të hapur për mundësinë e vlerësimit të propozimeve që mund të vijnë lidhur me sistemin zgjedhor edhe pse nuk është sistemi zgjedhor problematika kryesore që lidhet me zgjedhjet në Shqipëri, por është adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, tha Balla.

Ai theksoi se “progresraporti i KE-së është lajm shumë i mirë që Reforma në Drejtësi ka ecur përpara”. “Për fat të keq ditën që reforma në drejtësi u miratua në Kuvend, është ngjizur në Shqipëri edhe një aleancë e paskrupullt politikanësh të korruptuar për të bërë gjithçka për ta penguar reformën në drejtësi, edhe pse e votuan me kokën poshtë dhe dorën lart, shumë aktiv për të penguar reformën”, tha Balla.

Balla tha se “BesëLikja me Republikën e re janë sot në të njëjtin front për të penguar dhe dëmtuar bashkë çdo lloj ecje përpara të reformës në drejtësi”. “Të dyja janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Çdo lloj proteste, manifestimi kundër reformës në drejtësi nuk ka për t’ia arritur dot të pengojë këtë angazhim të rëndësishëm së historisë së anëtarësimit në BE. Të jenë të sigurt edhe ata që marrin fjalën si zëdhënës të BesëLikes se, as shtangistët, as  boksierët, madje dhe gjyshja e mikut tim Bes Kallakut, nuk e di fare çfarë është Reforma në Drejtësi dhe si mund të çohet përpara”, tha Balla.

Ai tha se kjo reformë është udhërrëfyesi ynë kryesor për shumë vite deri në anëtarësimin në BE. “Kush mendon se dita e anëtarësimit është e largët e ka shumë gabim. Para 7 viteve Shqipëria nuk bëhet fjalë të merrte statusin e kandidatit, e mori dhe sot është gati të fillojë bisedimet. Shqipëria sot është gati për bisedimet për negociatat”, tha Balla.

Balla theksoi se “metodologjia e re dhe vlerësimi i sotëm i KE-së ka bërë të mundur që edhe vende skeptike që nuk lidhen fare me Shqipërinë, por me çështje të politikës së brendshme dhe rritjes së popullaritetit të lëvizjeve të ekstremit të djathtë nuk janë kundër zgjerimit po kundër BE-së”.

“Jam i bindur se Franca, pas miratimit të metodologjisë së re do të jetë mbështetëse, pas këtij vlerësimi pozitiv sot nga KE. Ndërsa për Vendet e Ulëta duhet të jemi shumë më bashkëveprues për të informuar kolegët lidhur me gjithçka kemi bërë sa i takon luftës kundër kriminalitetit”, tha ai.

Balla tha se “në këtë ditë të rëndësishme të vlerësimit nga ana e KE-së të njëjtët politikanë të establishmentit të vjetër janë kundër Reformës në Drejtësi dhe po përpiqen të dëmtojnë imazhin e vendit”.

“Të thuash që Shqipëria është në grusht shteti është shenjë e shprehjes së gjendjes së rëndë psikologjike që ne e kemi paralajmëruar para 4 vitesh, sa më shumë forcohen institucionet aq më shumë rritet ankthi. Presidenti e ka humbur prej shumë kohësh të drejtën për të qenë njeriu i unitetit kombëtar, e ktheu Presidencën në një prej selive të opozitës. Është zgjedhje e tij. Është mirë ta legalizojë këtë sjellje kundër institucionit të Presidentit. Ilir Meta mund të jetë një prej katërshes drejtuese të opozitës, por jo President”, tha Balla.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.