Masat e sigurisë për të arrestuarit e operacionit “Mezhgorani”/ Gjykata vendos detyrim paraqitje për Henri Çilin dhe kalon dosjen në SPAK

TIRANE, 2 mars/ATSH/ Gjykata e Përmetit ka dhënë masat e sigurisë për të ndaluarit e operacionit “Mezhgorani”.

Në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë e cila zgjati rreth 9 orë, gjyqtari i Gjykatës së Përmetit, Dritan Hasani ka vendosur mbrëmjen e djeshme detyrim paraqitje për 11 të arrestuarit, arrest me burg ndaj 16 të ndaluarve të këtij operacioni dhe arrest shtëpi për dy të tjerë.

Konkretisht, gjykata vendosi një ditë më parë detyrim paraqitje për botuesin dhe analistin Henri Çili, Shpresa Gjocaj, Liko Jazi, Renato Toska, Kejsi Meço, Edmond Xaka, Kristina Bashi, Lisandër Alikollari, Entilon Kamberaj, Abaz Dani (Mesi) dhe Daniel Yzeiraj. Gjyqtari Hasani vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Amarildo Aliko, Eraldjan Hodo, Xhevair Sejati, Neuland Miçi, Skënder Toska, Armando Hajdinaj,  Sidi Ramaj, Erment Beqaraj, Askerd Malke, Elidon Alikollari, Ervin Çela, Antonio Hasa, Adriatik Brakaj, Aristidh Çoli, Klea Pëllumbi dhe Kladi Dervishi si dhe arrest shtëpi për Ilir Korbin dhe Besnik Fishtën.

Ndërsa gjatë ditës së sotme do të jepet masa e sigurisë për Betim Shkupin dhe biznesmenin Seit Fishta.

Në përfundim të komunikimit të masave të sigurisë, gjyqtari i Përmetit njoftoi shpalljen e moskompetencës dhe kalimin e dosjes në Gjykatën e Posaçme.

Botuesi dhe analisti Çili u arrestua nga Policia e Shtetit pasi dyshohej se ka ndërhyrë për të siguruar favore për dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, i pari i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i dyti me 18 vite burg, me vendim të formës së prerë, për vrasjen e një efektivi të policisë në Lazarat, gjatë aksionit të vitit 2015 kundër kultivimit të drogës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.