Manifestimi i Presidentit/ Bushati për ATSH: Meta “martesë” të detyruar me opozitën


TIRANË, 2 mars /ATSH – I. Vata/ “Rindërtimi i Shqipërisë, integrimi në BE, gjithashtu vazhdimi i Reformës në Drejtësi janë prioritetet tona, sepse këto janë hallet e vërteta të shqiptarëve dhe sfidat për të ardhme. Ne jemi fokusuar te puna jonë, ndërkohë që nuk mendoj se hallet e presidentit apo një pjese të opozitës duhet të jenë sfidat e Shqipërisë”, deklaroi sot deputeti i PS-së, Ervin Bushati në një intervistë për ATSH-në.

I pyetur lidhur me manifestimin e thirrur nga Meta, Bushati tha për ATSH-në se “Presidenti merret me hallet e tij dhe jo të qytetarëve, pasi nuk i rri mirë kostumi i presidentit dhe kërkon hapësirë brenda opozitës”.

“Presidenti duhet të fliste për të gjithë, nëse do fliste për integrimin në BE, nëse do të fliste për ndërtimin e shtëpive të të gjithë familjeve që janë dëmtuar nga tërmeti, nëse do të fliste për rritjen e të ardhurave të familjeve shqiptare, reformën  në drejtësi si të ecte më shpejte. këto do të ishin sfidat e Shqipërisë. Në fakt, për fat të keq, Presidenti merret me hallet e tij. Me sa duke nuk i rrinë mirë kostumi i presidenti dhe patjetër donë të merret me opozitë, ndoshta shikon hapësirë brenda opozitës për të funksionuar më mirë. Nuk e di se cila është gara brenda opozitës se kush do jetë kryeopozitarit. Por këto nuk janë çështje të mazhorancës dhe aq më pak nuk mund të jenë çështje të qeverisjes. Ne përveç se një parti politike dhe një force që në fakt është forca më e madhe potenciale në Shqipëri, kemi dhe përgjegjësinë e qeverisjes. Nuk mund të kemi vetëm deklarata dhe fjalë, por duhet të kemi dhe punë”, tha ai.

Duke folur për Kongresin e PS-së, Bushati tha se “ajo që ne patëm në këto tri ditë në Kongresin e PS-së është një risi që i takon forcës së madhe PS për ta sjellë në politikën shqiptare, patëm një ditë dedikuar çështjes së grave në Shqipëri, patëm një ditë që  u morëm me organizimin e PS-së dhe një ditë tjetër u morëm me organizimin e FRESH apo strukturave tona rinore”.

Bushati tha në intervistën për ATSH se “do të kërkojmë një mandat të tretë për të vijuar reformat, sepse jemi të bindur se nëse në mandatin e parë ne hodhëm themelet ku nisëm ndryshimin e Shqipërisë, ndonëse në mandatin e dytë ne kemi nisur dhe po zbatojmë reformat, mandati i tretë do jetë një mandat i integrimit të Shqipërisë në Europë, i konsolidimit të ekonomisë dhe me patjetër dhe kthimin e Shqipërisë drejt të ardhmes”.

“Mos harrojmë se Shqipëria në 30 vite ka arritur shumë. Është një vend që nuk ka njohur demokraci funksionale, shtet ligjor, shtet të së drejtës apo dhe ekonomi të lire tregu, pra kapitalizëm. Të gjitha këto sfida  që shohim për Shqipërinë duhet të jetë fokusi dhe çështje kryesore e politikës dhe jo, se si duhet të  jetë roli i presidenti në një Republikë Parlamentare, ku përveç se duket një debat shterpë dhe ideologjik, nuk ka të bëjë me realitetin e qytetarëve shqiptarë. Nëse Presidenti mendon se  Shqipëria mund të ishte më mirë si Republikë Presidenciale, kur të bëhet kryetar i PD-së apo LSI-së mund të dalë dhe të krijojë një axhendë politike, ku të kërkojë që Shqipëri të kthehet nga Republikë Parlamentare në Republikë Presidenciale apo Monarki. Por jam i sigurt se njerëzit nuk kanë për ta pëlqyer dhe as nuk do ta ndjekin as sot, apo dhe në ditët e ardhshme në këto protesta, pasi nuk janë hallet e tyre, por janë hallet e presidentit”, tha Bushati.

Bushati tha se “nëse do të komentoja si qytetar i thjeshtë, është si një martesë e detyruar, ku palët nuk dinë se kush është bashkëshorti dhe kush është bashkëshortja në këtë situatë”.

“Pra këto janë çështje të brendshme të opozitës. Nëse ka një garë brenda opozitës, nëse do të jetë Monika Kryemadhi, Sali Berisha, Ilir Meta apo Lulzim Basha kryetar i opozitës, këto nuk janë çështje të mazhorancës dhe aq më tepër nuk dihet të kthehen për asnjë moment asnjë çast, në një pengesë  për qeverisjen për të parë përpara sfidat e problemet e qytetarëve. Nëse qeverisja merret vetëm dhjetë sekonda me këtë punë, i bie  të lërë një shkollë pa ndërtuar, një spital pa mjet, të mos mbarojë një rrugë. Për asnjë moment qeverisja nuk duhet të merret me këto çështje të cilat janë të opozitës. Nuk mendoj se mazhoranca duhet ta heqë shikimin nga synimi i saj Reforma në Drejtësi si rindërtimi i Shqipërisë pas tërmeti si dhe integrimi i Shqipërisë në BE”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.