Maas: Progres i qartë në Shqipëri, angazhim për hapjen e shpejtë të negociatave

TIRANË, 2 mars /ATSH – I. Vata/ “Komisioni Europian i dha Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përsëri një dëftesë të mirë”, deklaroi sot ministri i Jashtëm Federal i Gjermanisë, Heiko Maas, pas publikimit të raportit të ndërmjetëm të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Komisioni Europian i dha Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përsëri një dëftesë të mirë. Të dy vendet kanë bërë progres të qartë në reformat e rëndësishme – para së gjithash në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne ndajmë vlerësimin pozitiv të Komisionit të BE-së. Për këtë arsye do të angazhohemi në rrethin e BE-së për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit me të dy vendet. Negociatat e anëtarësimit janë instrumenti më i mirë për t’u dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbështetjen më të mirë të mundshme dhe për t’u kërkuar atyre progres të mëtejshëm”, tha ai.

Ministri i Jashtëm Federal i Gjermanisë, Heiko Maas tha se “pa një sinjal inkurajues të BE-së, ne do të rrezikonim përparimin e madh të viteve të fundit. Kjo do të dëmtonte interesat e BE-së dhe të Gjermanisë. Ne kemi nevojë për shtete ligjore demokratike, të qëndrueshme dhe efikase në Ballkanin Perëndimor”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.