Hysi: Amnisti për detyrimet e prapambetura të energjisë për familjet në nevojë

TIRANË, 2 mars/ATSH-Maela Marini/ Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi kërkoi sot “amnisti për detyrimet e prapambetura të energjisë për familjet në nevojë”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Hysi tha se “kemi miratuar shumë amnisti në Kuvend dhe besoj se edhe detyrimet që nuk kanë për t’u mbledhur kurrë nga këto klientë në nevojë mund të falen dhe të mos u ndërpritet furnizimi me energji”.

“A ka mundësi Enti Rregullator i Energjisë (ERE) të shikoj dhe të rishikoj tarifat dhe mënyrën e skemës për familjet në nevojë, duke vendosur një skemë më të favorshme për familjet egjiptiane. ERE është institucioni që mund ta japi këtë zgjidhje, amnisti të detyrimeve të prapambetura për familjet në nevojë dhe një plan pagese të përshtatshme për këto familje”, tha Hysi.

Hysi theksoi se “reforma e energjisë, është ndër reformat më të thella të ndërmarra nga kjo qeveri”. “Ne kemi falur shumë detyrime për njerëzit që kanë pasur mundësi ekonomike por nuk kanë respektuar ligjin. Jam e bindur se me koordinim brenda kësaj jave e zgjidhim problemin. Dua shumë që javën e ardhshme të kemi një përgjigje pozitive, pasi nëse ky problem do të zgjidhet, shumë të tjera hyjnë në rrugën e zgjidhjes për familjet rome, egjiptiane apo të tjerëve në nevojë”, tha Hysi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.