Foto/ “Rruga e Kombit”, tarifa u shërben qytetarëve në standarde më të mira sigurie

TIRANË 2 mars/ATSH/ Tarifa e vendosur në rrugën e Kombit nuk ka lidhje me ndarjen Kosovë-Shqipëri, por u shërben qytetarëve në standarde më të mira sigurie.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive nga ku u shpreh se rrugën e paguajnë konsumatorët e rrugës.

“Unë nuk e shoh farë të ndarë Shqipërinë me Kosovën në këtë aspekt. Ajo tarifë e rrugës është vendosur për një parim shumë të thjeshtë dhe nuk ka pasur lidhje fare as me Kosovë, as me Shqipëri as me ndarje as me diskriminimin. Aty bëhet fjalë për një investim shumë të madh i cili ka përmirësuar trafikun. Ti që kur ke filluar të paguash tarifën e rrugës, ecën në një rrugë shumë më të mirë apo jo? Pra, e para punës kjo taksë nuk ka lidhje fare me ndarjen Kosovë-Shqipëri. Kjo është taksa e një rruge shqiptare ku paguajnë shqiptarët që kalojnë, edhe ata që vijnë për në Kosovë paguajnë 5 euro. Rrugën e paguajnë konsumatorët e rrugës. Ata që e konsumojnë, ata e paguajnë dhe ato që paguhen hidhen në mirëmbajtje për t’iu shërbyer atyre në standardet më të mira sigurie. Ne kemi vënë atje tarifën e parë, do të vëmë të tjera, nuk diskutohet fare”, -tha Rama.

Më tej, kryeministri theksoi se “nuk ju vendos Kosovës taska. Ju vu një rruge, ku e para e punës u trashëgua një situatë katastrofike, një rrugë që u inagurua për propagandë dhe së cilës i mungonin vepra arti, i mungonin standardet e sigurisë dhe në të cilën bënë aksidente pafund, rrezikuan jetë pafund, humbën jetë njerëzish dhe ne vumë të gjithë ato para për të bërë investime, i keni parë tani urat, i keni parë tani standardet e sigurisë. Ajo rrugë u inagurua për propagandë dhe kishte aq shumë probleme sa shkaktuan nevojën që jo vetëm të investonim ne më shumë duke larë edhe borxhe sepse është kollaj të thuash investoj në rrugë, por çfarë investon në rrugë. Në rrugë ti investon financa. Nëse ti më fuqinë e shtetit u thua: hajde bëje rrugën se unë nuk kam dhe ua lë të tjerëve, rrugën e bëjnë kompanitë, nuk e bën qeveria”.

Sipas Ramës, taksa është ekonomi, infrastrukturë, shërbim për qytetarët.

“Është shumë e rëndë kjo që bëni ju të gjithë në Kosovë. Ata që vijnë nga Kosova për pushime në Shqipëri, 5 euro në të gjithë atë shumë që përdoren në pushime, janë kontribut dhe nuk ka gjë më patriotike po doni t’a fusni në patriotizëm, sesa të paguash detyrimet e tua. Ai është detyrim për konsumatorët e rrugës. Hashimi, Albini, Ramushi dhe të gjithë ata që janë marrë me rrugën bëjnë propagande. Nuk ka lidhje kjo me propagandën, kjo është ekonomi, infrastrukturë, shërbim për qytetarët. Banorët e Kukësit nuk janë si ata që vijnë me pushime, një herë vijnë një herë ikin, në vit. Bizneset do ta paguajnë se s’bën”, -tha ai.

Rama deklaroi po ashtu se nuk e konsideron ulje apo dobësi faktin që një kryeministër mund të kërkojë falje.

“Në momentin kur banorët e Kukësit reaguan, atëhere ne ripamë çështjen. Ajo që ka rëndësi, unë për veten time nuk e quaj fare një ulje, një gabim apo një dobësi që një kryeministër të thotë edhe më fal sepse nuk e kam bërë unë kontratën, nuk jam marrë unë me atë punë”.

Më tej, Rama tha se taksa “nuk hiqet për një arsye shumë të thjeshtë sepse po u hoq taksa do të humbasim rrugën. Nuk mbahet ajo rrugë pa kontributet e qytetarëve. Ne po bëjmë tani, jemi gati për të lancuar për pak kohë një projekt tjetër, shumë të madh që është një projekt tjetër që fillon nga Miloti shkon në Thumanë kalon në Vorë, del në Rrogozhinë për t’iu mundësuar një lëvizje shumë më të mirë. Dhe në qoftë se do të kalosh avash avash vazhdo nga rruga vjetër, nëse do të kalosh nga rruga tjetër. Banorët e Kukësit kanë vetëm një rrugë dhe atë rrugë e kanë të jetës së tyre të përditshme. Shkojnë e vijnë çdo ditë”,-tha Rama. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.