Lufta kundër pasurive të krimit, rrit mundësitë ekonomike të vendit

TIRANË, 1 mars /ATSH – I. Vata/- “Shqipëria ka nivelin më të ulët të papunësisë në 25 vjet”, tha sot Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kongresin e PS-së me FRESSH.

Rama tha se “FRESSH duhet të bëjë debat lidhur me punë. Ne kemi një situatë që ka shumë që ankohen se nuk ka punë, por midis  atyre që ankohen se nuk ka punë kërkojnë punë në shtet. Patjetër që ne kemi një problem me punën që nuk paguhet sado duhet paguar dhe rritja e pagave në sektorin privat dhe pagesat e drejtpërdrejta të dhënë me drejtësi jo ca në dorë e ca mbi dorë, janë një problem që duhet të përballemi. Fakti është se sot Shqipëria ka nivelin më të ulët të papunësisë në 25 vjet”.

“Shumë njerëz thonë se kanë ikur, por matja e papunësisë nuk bëhet mbi bazën e njerëzve që janë këtu por nxirret mbi bazën e shumës së popullatës që do të thotë se përqindja nëse do mateshin vetë ata që janë këtu do të ishte dhe më e ulët. Kjo nuk është çështje përqindjesh po çështje e të kuptuari se ne nuk mundet të kapërcejmë shkallet me shpejtësinë që do të  dëshironte secili sepse çdo shkallë ka mundimin e vetë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Duke folur për pagat, Rama tha se “cili do të ishte ai kryeministër apo ajo tersi deputetësh që do të kishin mundësi të votonin për ti rritur rrogat sipas dëshirës dhe nuk do ta bënte këtë gjë. Nëse kjo do të ishte e mundur. Por nuk është e mundur. Është njësoi sikur ti kërkosh prindit kur vjen në Tiranë apo ti duhet të studiosh të të japin 5-fishin e asaj që të jep. Nuk e ka të mundur. Ose duhet të marrë borxh. Por nëse merr borxh për të dhënë 5-fishin më shpejt se vonë duhet të lërë shtëpinë se nuk ka mundësi ta lajë borxhin me punë  që bën dhe mundësinë që ka. Kështu që rritja e mbështetjes për paga, bursa e pensione do të vijë si rezultat i rritjes së mundësive ekonomike. Dhe rritja ekonomike vjen si rezultat i reformave që bëjmë”.

Kryeministri u ndal te Reforma në Drejtësi ku theksoi se lufta ndaj krimit rrit ekonominë e vendit.

“Reforma në drejtësi është një nga instrumentet që do rrisë mundësinë ekonomike të vendit. Dhe kjo luftë që ne sot po bëjmë kundër pasurive të krimit është një nga rrugët që do të rrisin mundësitë ekonomike të vendit sepse aksesi i krimit në ekonomi është bllokues për rritjen ekonomike për të gjithë dhe po kështu edhe ndryshimet që kemi bërë në arsim, por nga ana tjetër kjo është arsyeja pse qeveritë kanë përgjegjësi të madhe historike për shumë vendime që marrin”, tha ai.

Po ashtu Rama tha se “është e thjeshtë të marrësh vendim që të hapësh dyert e universitet dhe të  bësh në Shqipëri numrin më të madh të universiteteve për frymë me idenë se të gjithë shkojnë në shkollë por pasojë e asaj vendimmarrje janë shumë të rinj që janë të paaftë për punë dhe kanë një diplomë që si duhet dreqit”, tha ai.

“Në Durrës po merrnim pjesë në një godinë të lartë që po rindërtohej nga tërmeti dhe drejtuesi i kompanisë tha atë që thonë të gjithë se do ta bënim më shpejtë ndërtimin nëse do të kishim punëtorë dhe nën atë pallat ishte një kafe dhe aty ishte një numër jo i vogël të rinjsh që pinin kafe. Ju thash pse rrini pa punë. Një më tha se jam jurist. Natyrisht lart s’kishte nevojë për avokat,  nuk ishin punë që të jep pagën që ti pretendon të marrësh nga paga e juristit, por është një punë më e mirë sesa ato kafet dhe cigaret që pi poshtë me lekët që prindërit të japin”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.