Lleshaj: OFL dëshmi e seriozitetit në luftën kundër krimit, receta unike për një Shqipëri më të mirë

TIRANË, 29 shkurt/ATSH/ “Shqipëria sot është një vend më i sigurtë nga sa ishte në vitin 2013. Operacionet e policore kanë goditur fort dhe masivisht shumicën e grupeve kriminale, të krimit të organizuar në vend”.

Kështu e nisi fjalën e tij ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në Kongresin e Partisë  Socialiste, ku theksoi se “Operacioni Forca e Ligjit ka filluar me forcë të çmontojë logjistikën kriminale të akumuluar përgjatë këtyre viteve. Të gjithë treguesit e kriminalitetit janë në minimumet historike të regjistruara në vend prej tri dekadash”.

Sipas tij, 45% më pak vrasje ka në Shqipëri krahasuar me 2013 , 21% më pak aksidente rrugore.

“Ne kemi zhbërë historinë e kanabisit në vendin tonë. Bashkëpunimi ndërkombëtar i Policisë së Shtetit me policitë ndërkombëtare ka arritur në nivele të panjohura më parë në vendin tonë, ajo gëzon sot reputacion të gjerë të madh dhe besim të padiskutueshëm mes shumë agjencive homologe perëndimore. Së bashku kemi arritur ti pastrojmë rrugët e vendit tonë nga murtaja e basteve dhe spekulantët e bizneseve e të fatit të cilët çuan shumë qytetarë në zgrip të ekzistencës dhe fatin e tyre e të familjeve të tyre”, – nënvizoi Lleshaj.

Ministri Lleshaj u shpreh se “në 2019 në Shqipëri erdhën 82% më shumë turistë sesa erdhën në 2013. Me këtë nuk dua të them se kemi mbërritur aty ku duam apo aty ku duhet nuk dua të them se jemi mirë, por me këto tregues ne kemi provuar se me këto tregues ne mund të shkojmë atje ku duam dhe do të mbërrijmë atje ku duhet. Ne do ti thellojmë më tej të gjitha sukseset në të gjitha fushat rendit dhe sigurisë publike. Lufta kundër krimit të organizuar ka hyrë në fazë të re dhe historike. ne do ti shkatërrojmë burimet financiare dhe logjistikë të krimit të organizuar ne do ta zhbëjmë modelin e biznesit të ngritur mbi krim, i cili dekurajon biznesin e ndershëm dhe investimet e huaja, të dyja nuk mund të bashkëjetojnë prandaj ne do të shkatërrojmë të parin, për t’i hapur rrugë të dytit”.

“OFL është një tjetër dëshmi se jemi seriozë dhe të vendosur për një Shqipëri më të lirë dhe të drejtë. Përkrahja e gjerë publike ndaj këtij operacioni është inkurajim për thellimin e mëtejshëm të tij. Ky operacion është receta unike për një Shqipëri më të mirë dhe të lirë nga krimi”, tha Lleshaj.

Duke prezantuar tre sfidat e radhës Lleshaj tha se “do të kemi rrugë më të sigurta, parandalim dhe goditje e fortë ndaj dhunës në familje dhe afrimi i policisë shqiptare me komunitetin. Policia e Shtetit duhet të bëhet çdo ditë e më shumë polici e komunitetit”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.