Hysi për ATSH-në: “Shqipëria që duam në vitin 2030”, program ambicioz për zhvillimin e vendit

TIRANË, 29 shkurt /ATSH-E.Xhajanka/- Nën/kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) u shpreh se “Kongresi i Partisë Socialiste ka një risi nga kongreset e mëparshëm, pasi ai mbahet kur Shqipëria ka kaluar një periudhë të vështirë, për shkak të tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoj humbje të mëdha njerëzore dhe dëme materiale. Ndaj ky është Kongresi për të rindërtuar Shqipërinë dhe për t’i dhënë shpresë dhe për t’u thënë atyre familjeve që u prekën nga ky tërmet se nuk janë vetëm”.

Hysi tha se “risia tjetër qëndron në faktin se Shqipëria ka hyrë në një luftë frontale kundër krimit të organizuar, korrupsionit duke goditur pasuritë dhe asetet e botës së krimit. Është në kulmin e zbatimit Reforma në Drejtësi dhe kërkon një angazhim shumë të madh të gjithë mazhorancës, qoftë në qeveri në parlament, por edhe të gjithë njerëzve të thjeshtë për të mbështetur këtë proces, por jo vetëm, sepse kjo reformë kërkon mbështetje në buxhet, në struktura që po krijohen, por mbi të gjitha kërkon një mbështetje morale të gjithë atyre që  janë në frontin e luftës kundër krimit të organizuar”.

Njëkohësisht, vijoi ajo, ne po analizojmë edhe adresimin e mbështetjeve me programet sociale për një sërë kategorish në vendin tonë, dhe të mos harrojmë që është një analizë, se çfarë është bërë në këto vite që nga momenti kur qeveria Rama mori mandatin e dytë dhe çfarë do të jetë në vijim puna jonë.

“Slogani “Shqipëria që duam në vitin 2030″, është një program ambicioz që përkon edhe me angazhimet që ka marrë qeveria shqiptare në kuadër të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm axhenda 2030. Por roli i Shqipërisë në rajon, integrimi në BE, të hapjes së negociatave, stabiliteti në rajon është një pikë tjetër shumë e rëndësishme që po diskutohet në Kongres”, tha Hysi.

Hysi theksoi se, ne kemi marrë një premtim të madh për mbështetje për të rindërtuar vendin pas tërmetit por njëherazi ishte një besim që i’u dha qeverisë në këtë fatkeqësi. Por padyshim që mbështetja është dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por nga ana tjetër është edhe  shprehje e besimit, që këtë vend kjo qeveri mund ta ndërtojë pas dëmeve të 26 nëntorit.

Nga ana tjetër tha ajo, duke qenë dhe pjesë e legjislativit duke ndjekur qeverinë në zbatimin e detyrimeve që burojnë për hapjen e negociatave, është bërë një progres shumë i madh, në të gjitha ato që thuhen detyra të shtëpisë, për shkak të dëmit të madh që ka shkaktuar 26 nëntori.

Lidhur me hapjen e negociatave me BE-së Hysi u shpreh se “nuk duhet të harrojmë metodologjinë e re që është miratuar, në kuadër të hapjes dhe zgjerimit europian. Angazhimi për të forcuar shtetin e së drejtës, për respektimin e të drejtave të njeriut, për zhvillimin ekonomik të vendit, për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurt për këdo, për një mirëqënie më të madhe për të gjithë njerëzit dhe atyre në nevojë, luftën kundër krimit të organizuar  dhe korrupsionit, luftën kundër pastrimit të parave, por dhe kontributin për një Ballkan të sigurt, ne e bëjmë në radhë të parë për veten tonë dhe kjo është obligim që ne kemi, kur ne i kemi vajtur në 2017 qytetarëve për t’i marrë votën dhe padyshim hapja e negociatave është fillim i një rrugëtimi që është po aq i vështirë në përmbushjen sfidave të integrimit”.

Ne jemi këtu për të qeverisur jo vetëm të majtët por edhe për të gjitha ata që nuk na kanë votuar, apo për njerëzit që nuk besojnë tek partitë politike, deklaroi ajo.

Në këndvështrimin e një pjese të legjislativit, Hysi shprehu bindjen se për mënyrën sesi  është përgatitur e gjithë paketa e rindërtimit, ekzistojnë mundësi shumë të madhe që të ketë një rritje ekonomike. Paketa e rindërtimit do të sjellë modelin e ri të rilindjes urbane, një stil i ri i jetesës në komunitet, impuls tëri zhvillimi për ekonominë por mbi të gjitha për një Shqipëri ndryshe.

“Unë mendoj se marrëdhëniet e Presidentit të Republikës nuk janë të acaruara me mazhorancën, sepse detyra jonë është të qeverisim, të miratojmë ligje , të monitorojmë qeverinë në përmbushjen e detyrimeve që ajo ka për një mirëqenie më të mirë të njerëzve”,- tha Hysi.

“Eshtë e çuditshme që Presidenti i Republikë, që duhet të jetë mbi palët bën thirrje politike për të dalë në protestën e 2 marsit, nuk e di në cilin vend një president i bën thirrje njerëzve për protestë. Unë mendoj se Kushtetuta e përcakton qartë rolin e Presidentit, ne do të jemi në seancë atë ditë dhe do të raportojmë për temat e ditës. Jeta do të vazhdoj  normalisht dhe unë shpresoj qe Presidenti të bëjë detyrat që i ka ngarkuar Kushtetuta”- tha ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.