Rindërtimi/ Cilësi dhe standarde për banesat e reja, përfitojnë shtëpi të veçanta familjet me disa kurora

TIRANË, 28 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, rindërtimi do të nisë nga ato pika ku do të kemi grumbullime banesash që krijojnë komunitete, ndërsa siguroi se banesat e reja do të ndërtohen me cilësi dhe standardet më të mira europiane.

“Do të krijojmë blloqe banesash individuale pranë qendrave të komunave apo fshatrave, duke i sjellë banorët që kanë humbur shtëpitë e izoluara pranë shërbimeve, kopshteve, shkollave, qendrave shëndetësore dhe duke iu ofruar një jetë të re komunitare”, tha Rama.

Kryeministri iu referua planit të rindërtimit në Thumanë, ku ka një bllok të konsiderueshëm banesash individuale, por edhe disa godina me shumë njësi banimi dhe shërbime që vijnë në një fazë pak më të vonshme.

“Gjithsesi brenda këtij viti nga njëra anë do të sistemohen ata që kanë humbur banesën individuale dhe nga ana tjetër do të ngrihen kantieret që do të jenë në punë për ndërtimin e godinave me shumë njësi banimi apo shërbimesh”, tha Rama.

Ai theksoi se kështu do të jenë edhe blloqe në periferinë e Tiranës ku kemi disa pika të përcaktuara dhe do të bëhen disa grumbullime shtëpish për të siguruar një tjetër cilësi jetese.

“Patjetër që do të ketë edhe shtëpi të vendosura aty ku janë, në fshatra të caktuar. Edhe  për Bubqin është një plan qendërzimi i një numri të konsiderueshëm banesash. Po kështu në Shijak dhe në Durrës, ku kemi disa zona si Ishmi që janë të prekura në mënyrë të konsiderueshme”, tha Rama.

Duke folur për cilësinë e banesave të reja, Rama tha se “bëhet fjalë për një sistem me të cilin sot që flasim ndërtohen resorte turistike me 5 yje”.

“Banesat kanë në gjithë skeletin e tyre çelik të galvanizuar. Kemi bërë shumë kërkime dhe analiza nga grupet e punës, por kemi preferuar të paguajmë më shumë për të garantuar qëndrueshmëri më të lartë. Bëhet fjalë për godina që kanë garancinë e qëndrueshmërisë së tyre 70 vjet, ndërkohë që të tjerat e kanë më të ulët, përfshi këtu edhe ndërtimet e sotme me tullat me vrimë apo blloqe betoni me garanci shumë më të ulët”, tha Rama.

Rama tha se “mezi po presim të fillojmë punën në terren”. “Gjithçka është bërë sipas kalendarit me shpejtësi maksimale, por ne nuk duam që shpejtësia të dëmtojë cilësinë. Ne duam të jemi të shpejt dhe cilësor. Gjithë planifikimet dhe studimet, bashkë me projektimin kërkojnë shumë kohë dhe po bëhen në kohë rekord. Besoj se do të mbajmë fjalën dhe se familjet e prekura që kanë humbur shtëpitë do ta kalojnë Vitin e Ri në shtëpi të pakrahasueshme nga të gjitha aspektet me ato që humbën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ky program rindërtimi ka edhe një komponent politike të rëndësishme sociale strehimi, pasi ato familje me disa kurora që kanë humbur 1 shtëpi do të marrin aq shtëpi, sa kanë kurora”.

Ai theksoi se “ky do të jetë një proces i monitoruar dhe transparent për të mos i hapur shteg abuzimeve”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.