Rindërtim unik nga qeveria/ Ahmetaj: 3 modele për banesat individuale, grantet në bazë të dëmtimit

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, u shpreh se “parimi kryesor i Programit të Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, është transparenca, si parimi bazë i deklaratë së qëllimeve mes donatorëve dhe qeverisës shqiptare”.

Në fjalën e tij, gjatë takimit me gazetarët që u zhvillua sot në Kryeministri, për prezantimin e projekteve të Rindërtimit Ahmetaj tha se, “modelet e rindërtimit janë rezultante të kujdesshme të një procedure tejet të detajuar juridike por edhe teknike për të garantuar, zhvillimin urban dhe ekonomik, por edhe parimin tjetër që është po kaq i rëndësishëm, “Rindërtim edhe më i mirë””.

“Programi për rindërtimin është i detajuar në ligj. Ndërtimi i objekteve të reja do të jetë përmes granteve të rindërtimit, krijimit të fondit të banesave, ndërtimi i infrastrukturës publike dhe masat e rimëkëmbjes. Ndërkohë grantet për riparim do të jenë për ato godina të dëmtuara në nivelin mesatar nga DS1, DS2, DS3”, – tha Ahmetaj.

Sipas tij, rindërtimi do të kryhet aty ku do të shemben. “Vetëm në zonën jashtë Tiranës, procesi i vlerësimit të thelluar vazhdon. Janë 115 pallate për t’u shembur në bazë të akteve të thelluara të Institutit të Ndërtimit dhe janë 2471 njësi individuale jashtë Tiranës, të vlerësuara. Ndërkohë që po presim edhe informacion nga bashkia e Tiranës”, – informoi ai.

Ahmetaj shpjegoi se, “grantet janë 100 mijë lekë për modelet DS1, 250 mijë lekë për DS2, dhe 500 mijë lekë për DS3. Do t’u jepen drejtpërsëdrejti, qytetarëve pas vlerësimit që do të bëhet nga bashkitë që janë brenda zonës së dëmtuar, me një procedurë shumë të detajuar. Ndërkohë që kemi dhe infrastrukturën publike, ku janë 62 shkolla që do të rindërtohen dhe disa të tjera që do të riparohen, me konceptin “Rindërto më mirë””.

“Qendrat shëndetësore dhe objektet e tjera publike janë një pjesë tjetër e listës që po kalojnë në një vlerësim të thelluar”, – tha ai.

Ahmetaj theksoi se, programi për strehimin nuk do të jetë kompensim, por do të jetë ofrimi i niveleve optimale të strehimit.

“Mënyra se si qeveria shqiptare i rikthehet rindërtimit është unike, dhe në përgjithësi edhe vendet më të zhvilluara shkojnë me kombinim grantesh për qytetarët, pra ky program është shumë i krahasueshëm me shumë programe në botë, por edhe në vendet e zhvilluara (siç është rasti Italisë), me fokus termat socialë, kjo sepse e para: ne humbëm për 30 sekonda 7,5% të PPB dhe nuk jemi një vend i pasur dhe e dyta, qeveria jonë, kjo mazhorancë e majtë, ka në fokus qytetarin”, – deklaroi Ahmetaj.

Ai shpjegoi se, në bazë të modeleve të rindërtimit, objektet me 60-70 m2 shkojnë për familjet me një deri në dy persona, objektet 70-80 m2 shkojnë për familjet me 2 deri në 4 anëtarë, 90-100 m2 për më shumë se 5 anëtarë. Procesi i rindërtimit përfshin 26 zona rindërtimin në 8 bashki të vendit. Sipas tij, edhe modele e banesave individuale nuk do të dalin nga koncepti i programit të rindërtimit, pavarësisht se fondet do të jenë të veçanta.

Ai tha se, vlerësimi i thelluar i procesit është shumë i rëndësishëm nga ana juridike dhe financiare dhe është pjesa e dosjeve që do të vlerësohen për çdo familje. Bashkia e Tiranës e mbaron këtë proces më 24 prill dhe Instituti i Ndërtimit e mbaron më 30 mars.

Për sa i përket shpronësimit, ai vlerësoi se ky proces ka ecuri me ritme të përshpejtuara dhe në zonën ku do të ndërtojë Enti Kombëtar Turk, procesi ka avancuar me shpejtësi duke reduktuar kohën nga 80 ditë, në 40 ditë.

Ai tha se, Fondi i Rindërtimit në të gjitha formatet e veta shkon në 1.15 miliardë euro. Në fund të vitit fondi është dinamik.

“KSH dhe donatorët do të jenë audituesit më të rëndësishëm. Ata kanë të drejtë të kontrollojnë të gjithë programin dhe programe të veçanta pavarësisht nëse janë financues.  Rregullat financiare janë në bazë të ligjit organik të buxhetit dhe të Financave Publike që monitorohen nga KE dhe qeveria”, – tha Ahmetaj.

Sipas tij, programi është i destinuar vetëm për rindërtimin, dhe është fakt i rëndësishëm që nuk e rrisim borxhin publik e mbajmë në ulje modeste. Ndryshe nga vendet të tjera, tha Ahmetaj. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.