Qeveria e Kosovës dhuron 200 mijë euro ndihmë për Rindërtimin në Shqipëri

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës të mbajtur ditën e sotme nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, ka marrë vendim që të jepen 200 mijë euro si ndihmë ndaj Shqipërisë për të përballuar dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ndihmë e cila u premtua në Konferencën e Donatorëve të mbajtur në Bruksel.

Kryeministri Albin Kurti Kurti ka thënë se përveç ndihmave deri të tanishme do të ndahen edhe mjete financiare.

“Republika e Kosovës do të ndihmojë Shqipërinë për atë fatkeqësi të tmerrshme që ndodhi dhe përveç ndihmës deri tanishme ne do ta shoqërojmë edhe me mjete financiare”, tha Kurti.

Kosova, qё dha ndihmёn e parё tё shpejtё dhe mbёrriti me forca kërkim-shpёtimi brenda pak orёsh pas tërmetit mё 26 nёntor, ofroi gjatë Konferencës së Donatorëve të mbajtur në Bruksel më 17 shkurt njё ndihmë prej 200.000 eurosh, krahas shumёs sё parё prej 500.000 eurosh.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.