Propozimet e opozitës për reformën zgjedhore: Identifikim, votim dhe numërim elektronik

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Opozita jo parlamentare ka publikuar propozimet për reformën zgjedhore. Bëhet fjalë për identifikimin, votimin dhe numërimin elektronik që sipas saj, janë rekomandimet prioritare të ODIHR për zgjedhje të  lira dhe që nëpërmjet këtyre elementëve të reformës synohet liria, sekreti dhe numërimi korrekt i votës.

Në lidhje me identifikimin e sigurt të votuesve në qendrën e votimit, verifikimin dhe parandalimin e votimit të shumëfishtë në të njëjtën qendër votimi ose në qendra të ndryshme, opozita propozon sistemin elektronik të identifikimit në vijim EPB (Electronic Poll Book), i cili identifikon zgjedhësin në qendrën e votimit nëpërmjet dokumentit të identitetit dhe të dhënave biometrike, përfshirë shenjën e gishtërinjve.

“Sistemi garanton verifikimin e të dhënave të zgjedhësve bazuar në të dhënat biometrike të sistemit të letërnjoftimeve elektronike si dhe listës së zgjedhësve e cila gjenerohet nga regjistri kombëtar i gjendjes civile. Skanimi dhe ruajtja e të dhënave biometrike gjate procesit të identifikimit garanton që zgjedhësi ka te drejte të votoje në atë QV ku po identifikohet dhe gjithashtu shërben si provë për verifikimin dhe dënimin e tentativave për të votuar më shumë se një herë si dhe në vend të zgjedhësve te tjerë. Të dhënat e identifikimit të zgjedhësve ngarkohen të enkriptuara në memorien e pajisjes elektronike të identifikimit EPB nga sistemi qendror, para ditës së zgjedhjeve. Çdo pajisje kur aktivizohet, personalizohet për QV me anë te kodeve unike një përdorimshme”, theksohet në deklaratën e opozitës joparlamentare.

Sipas këtij propozimi, EPB do të mundësojë gjetjen e votuesit në listë duke lexuar kodin MRZ të ID card ose pasaportën biometrike për të gjetur në mënyrë të shpejtë identitetin e votuesit.

Sa i përket votimit elektronik, opozita jo parlamentare propozon që qendra e votimit duhet të jetë e pajisur me pajisje elektronike votimi ku zgjedhja e subjektit zgjedhor nga votuesi bëhet në ekranin e pajisjes elektronike të votimit (Electronic Voting Machine) EVM në vijim.

“Për të krijuar besimin te publiku dhe për të larguar çdo dyshim për identifikimin e votës  nuk mund të ketë komunikim apo shkëmbim të dhënash midis EPB dhe EMV. Procesi i identifikimit dhe procesi i votimit elektronik janë tërësisht të ndara prej njëri-tjetrit për të bërë të pamundur identifikimin e votës. Pasi votuesi të jetë identifikuar me anë të EPB, ai ve në dispozicion kuponin e identifikimit përkatës të gjeneruar nga EPB, tek anëtarët e komisionit në mënyrë që të vijohet më pas me votimin”, theksohet në deklaratën për mediet.

EVM do të aktivizohet për të lejuar votimin me anë të shtypjes së një butoni nga komisionerët e QV, pasi ata të kenë verifikuar se procesi i identifikimit të votuesit u krye dhe pasi kanë administruar kuponin e identifikimit.

Gjithashtu, opozita propozon që sistemi qendror për votimin elektronik të përfshijë të gjithë infrastrukturën elektronike të nevojshme për të dokumentuar/audituar sigurinë për çdo pajisje identifikimi dhe votimi, si dhe për të mundësuar infrastrukturën e nevojshme për sigurinë e informacionit në çdo nivel te tij.

Përpara çdo procesi votimi, sistemit qendror i votimit do te mundësojë personalizimin e pajisjeve te identifikimit dhe votimit me te dhënat për zgjedhjet dhe zonat përkatëse. Në fund të procesit sistemi grumbullon të dhënat nga të gjitha zonat dhe nxjerr rezultatin paraprak të votimit. Mbas procesit të votimit të gjitha pajisjet lidhen me sistemin qendror (direkt ose memoriet e tyre) për të transferuar votat elektronike në sistemin qendror”, thekson opozita.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.