Prezantohen projektet e rindërtimit/ Rama: Nisim me familjet më të prekura dhe me më pak të ardhura


TIRANË, 28 shkurt/ATSH-Maela Marini/ “Rindërtimi në territor do të nisë nga familjet më të prekura dhe me më pak të ardhura dhe mundësi për të dalë situata e vështirë pas tërmetit”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në konferencën për prezantimin e projekteve të rindërtimit, ku u prezantuan modelet e rindërtimit për familjet e prekura që kanë humbur shtëpinë në fshat, që hyjnë në fazën e garës ndërkombëtare për kompanitë që do të ndërtojnë banesat individuale.

Rama foli për fillimin e procesit të garës ndërkombëtare për të ftuar të gjitha kompanitë e huaja apo vendase, të cilat do të përfshihen në procesin e rindërtimit, duke nisur nga banesat individuale.

Ndërkohë, ai tha se “vazhdon puna për planet zhvillimore në zonat urbane, ku sigurisht bëhet fjalë për banesa me shumë njësi, apartamente në lagje, apo blloqe të reja banimi”.

“Është realizuar gjithçka që është e nevojshme nga pikëpamja e projektimit për banesat individuale në zonën rurale dhe siç e kam thënë rindërtimi në territor do të nisë nga familjet më të prekura dhe me më pak të ardhura dhe mundësi për të dalë nga kjo situatë e vështirë pas tërmetit, por që përveç të tjerave janë të detyruara të qëndrojnë në çadra pranë shtëpisë së rrënuar, sepse nuk mund të shkëputen nga toka, gjëja e gjallë dhe puna në fermë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se ata e kanë dhe më urgjente sesa të tjerët domosdoshmërinë që të hyjnë në një çati të re.

“Kemi një plan masiv ku synohet që brenda këtij viti të kemi sistemuar familjet që kanë humbur banesën e tyre individuale, pra të kemi ndërtuar dhe hapur dyert e disa mijëra shtëpive të reja”, – tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.