“Meta tejkaloi funksionin kushtetues”/ Dvorani: KED institucion i pavarur, ndërhyrja e Presidentit e pavend

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ -Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, në mbledhjen e sotme thirri për të dëshmuar kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Duke folur për veprimtarinë e KED, Dvorani tha se, “ka qenë një veprimtari 1-vjeçare shumë intensive. KED ka realizuar funksionet e tij në kushte të jashtëzakonshme. Me pritshmëri që vendet vakante do të krijoheshin në distanca nga njëra-tjetra. Në vitin 2019 për shumë arsye, në kuadër të procesit të vetingut u krijuan të gjitha vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në ILD dhe gjithçka iu ngarkua për ta ushtruar KED”.

“Këshilli duhet të përgatiste edhe të gjitha aktet nënligjore që udhëzimet të miratoheshin pa të cilat nuk mund të fillonte procesi i përgatitjes së kandidaturave. Në 2 prill u mbyll ky proces dhe filloi procedura e vlerësimit të vendeve vakante”, tha Dvorani.

“Ne ishim në kushtet kur këto afate të shkurtra ishin të tejkaluara me 1-2 vjet dhe duhet t’i bënim këto gjëra njëherësh. Vumë re që në listat e vendeve vakante kishte një numër të konsiderueshëm kandidatësh për disa vende vakante. Gjatë vitit u verifikua dhe një fenomen tjetër që për shkak të ndalimit të kandidimit, një pjesë e vendeve vakante mbetën pa një numër minimal kandidatësh. 57 kandidatë u shqyrtuan për Gjykatën Kushtetuese. 15 kandidatë u tërhoqën, 20 të tjerëve iu ndalua kandidimi dhe mbetën vetëm 6 kandidatë në 4 vendet vakante”, deklaroi Dvorani.

Ai tha se çdo akuzë është spekulim dhe se tërheqja e vëmendjes nga ana e Presidentit të Republikës me shkresën e 31 gushtit të vitit të kaluar ishte e pavend.

“Bëmë një proces të barabartë, shumë rigoroz. Çdo ide që hidhet se kemi vepruar në mënyrë të qëllimshme është spekulim. Në 31 gusht 2019 presidenti i drejtohet me një shkresë KED, i cili shpreh shqetësimin e tij për situatën e krijuar, shprehet se nuk mund të lejojë faktin që KED të bëjë interpretime përtej asaj që përcakton ligji. Ne jemi një institucion kushtetues i pavarur, por që nuk ka lidhje me institucionet e tjera”, tha Dvorani.

“Presidenti ishte i vonuar në kohë dhe në tejkalim në funksionin kushtetues. Tërheqja e vëmendjes ishte e pavend. Ne e kishim përfunduar procedurën e verifikimit të kandidatëve dhe ishte vetëm një që kandidonte për dy vende vakante dhe për mendimin tim personal nuk është një veprim i duhur. Ne nuk mund të bënim nxjerrjen e pikëve në mbledhje të veçanta, i nxorëm në të njëjtën ditë, në të njëjtën mbledhje”, deklaroi Dvorani.

Deputetët e opozitës së re, anëtarë të Komisionit Hetimor për Metën kanë theksuar qëndrimin e tyre kundër përfshirjes së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si objekt të këtij hetimi.

“Unë nuk dua të jem pjesë e një procesi hetimor që nuk bëhet në bazë të rregullave. Unë e di që jam në pakicë. Dua të procedoj që nesër dhe në vazhdim ku vend të marrë nga ky komision atë që është më e efektshme”, u shpreh Adriatik Alimadhi.

“Ne në mbledhjen e fundit shtuan në objektin hetimor emërimin e anëtarëve të Kushtetuese. Ne nuk nuk ishim dakord. Ju e vendosët me shumicë votash. Pavarësisht dëshirës dhe votave tona kjo është shtuar pavarësisht dëshirave që ne kemi si opozitë. Ne nuk mund t’i shmangemi. Do marrim pjesë në këtë debat për të qartësuar opinionin publik me atë që ka ndodhur”, deklaroi Alban Zeneli.

Ndërkohë, kryetrari i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja tha se mazhoranca kërkoi zgjerimin e objektit të hetimit për presidentin Meta, në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Manja tha se ky komision po ndjek të gjitha fazat procedurale. “Edhe raportin e Komisionit të Venecias do ta presim dhe delegacionin e Komisionin e Venecias e kemi pritur në të gjitha takimet në Tiranë. Jemi në zbatim të fazave që kemi përcaktuar”, tha Manja.

Ardian Dvorani është paditur në SPAK nga Presidenti Ilir Meta, i cili e akuzon për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore”. Kreu i KED akuzohet nga Presidenti se “ka tentuar të bëjë grusht shtetit”, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Komisioni Hetimor për Metën nisi punën gjatë vitit të kaluar, ku synon të hetojë veprimet e Presidentit, që me zhdekretimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve lokale.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.