Meta: Qytetarët duhet të kuptojnë se sa e domosdoshme është mbrojtja e Kushtetutës

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaron se qytetarët duhet të kuptojnë se, “kriza e tmerrshme institucionale, buron nga mungesa e ndërgjegjësimit tonë si shoqëri për domosdoshmërinë e mbrojtjes së Kushtetutës”.

“Çdo qytetar i vendit tonë duhet të kuptojë se kriza e tmerrshme institucionale, ekonomike e shoqërore, si dhe rritja e pasigurisë për të ardhmen, buron nga mungesa e ndërgjegjësimit tonë si shoqëri për domosdoshmërinë e mbrojtjes së Kushtetutës nga politikanët që për më shumë pushtet i venë kazmën themeleve të shtetit, si përmes ndërhyrjeve të nxituara dhe jo transparente, ashtu edhe përmes bërjes së ligjeve antikushtetuese që minojnë sundimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor, siç është bërë traditë sidomos në vitet e fundit”, është shprehur Meta.

“Është koha që sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur Kushtetutën e Republikës. Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit! Ndaj në 2 mars zëri juaj duhet të dëgjohet si asnjëherë tjetër”, ka theksuar Presidenti Meta.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.