Krijimi i lehtësive për biznesin/ Drejtorët e Doganave të Ballkanit mblidhen në Ohër: Rritje të bashkëpunimit rajonal

TIRANE, 28 shkurt/ATSH/- Bashkëpunimi rajonal në fushën e Doganave është mjaft i rëndësishëm në krijimin e lehtësive për biznesin dhe zhvillimin e tregtisë së ligjshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gjon Bardhi, mori pjesë në Takimin Rajonal Informal të 5-të të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Administratave Doganore të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Ohër.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi përgatitjen e qasjes së përbashkët të shërbimeve doganore në Rajon për të bërë progress në bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë takim mori pjesë dhe zyrtar i Drejtorisë për Punë Doganore dhe të Ardhurave të Mbretërisë së Bashkuar, Adam Uodrou, përfaqësues nga Organizata Botërore e Dogana dhe AKU.

Diskutimet në këtë takim u përqëndruan në prioritetet e Nënkomitetit të Ceftas për Doganat dhe rregullat e origjinës, që për vitin 2020 do të drejtohet nga Administrata Doganore e Maqedonisë, ku fokusi kryesor lidhet me zbatimin e strategjisë së përbashkët të riskut dhe njohjes reciproke të AEO-ve.

Një vend të veçantë në këtë takim zuri rritja e bashkëpunimit, jo vetëm e autoriteteve doganore, por edhe me agjencitë e tjera që veprojnë në kufi, siç është AKU.

Takimi i Ohrit është i pesti i këtij lloji dhe vjen si vazhdimësi e Takimeve Rajonale Informale të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Administratave Doganore të gjashtë vendeve të

Ballkanit Perëndimor (WB6) – që janë organizuar më parë në Shkup, Tiranë, Podgoricë dhe Prishtinë.

Takimi i radhës u vendos të zhvillohet në Tiranë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.