Kongresi hapet nga Forumi i Gruas Socialiste, Gjylameti: PS, forca politike që përcakton standardet

 

TIRANË, 28 shkurt /ATSH – I. Vata/- “PS ka qenë një forcë që ka përqafuar risitë dhe në këtë aspekt mjafton të shohim raportin ndërkombëtar që e rendit Shqipërinë në nivelet më të larta të përfaqësimit të grave në stafet më të larta drejtuese. Në këtë pjesë, besoj se si çdo element tjetër kemi qenë një shembull për t’u ndjekur edhe në këtë aspekt, PS do jetë  ajo që përcakton standardet që duhet të kemi”, tha sot për ATSH, Blerina Gjylameti, koordinatorja e Partisë Socialiste për procesin elektoral, në ditën e parë të Kongresit të PS-së që nisi sot me Forumin e Gruas Socialiste.

Blerina Gjylameti, koordinatorja e Partisë Socialiste për procesin elektoral tha se PS gjithmonë ka qenë në riorganizim të plotë duke afruar pranë vetes, gra dhe vajza duke i dhënë një vlerë  të shtuar kësaj partie.

“Ky kongres sjell risinë e bashkëdrejtimit të organizatave socialiste në të gjithë Shqipërinë. Pra nuk kemi vetëm kryetarë organizate por kemi bashkëkryetarë, pra një burrë dhe një grua duke rritur dhe normën e përfaqësimit të grave jo vetëm në pjesën e  qeverisë ku sot jemi me shumë se 50% zonja që janë në nivelet më të larta drejtuese, jo vetëm në pjesën e niveleve të dyta të administratës, jo vetëm në pjesën e zëvendësministrave, jo vetëm në një pjesë shumë të lartë të deputetëve si kurrë më parë, jo vetëm thjesht si numër por ndërkohë 36 zonja sot janë pjesë e parlamentit dhe kontribuojnë çdo ditë për të bërë projektligje që ndikojnë në jetën e qytetarëve me një ndjesi tjetër që është dhe ndjesia gjinore”, u shpreh ajo.

Gjylameti shtoi se “ne arritëm që të hapim një kongres me vajzat dhe gratë të një projekti që nisi dhe u lançua në tetor të vitit 2019,  me nismën “edhe një” ku çdo zonjë ishte e ftuar të sillte një mikeshë të sajën për t’u bërë pjesë e PS-së për të pasur një kontribut sa më të çmuar dhe në anën tjetër për të kontribuar në Partinë Socialiste jo vetëm për një politikë më të drejtë, më sensitive, më të përgjegjshme por për një politikë në shërbim të qytetarëve dhe mbi të gjitha për një Shqipëri më të mirë, Shqipërinë e fëmijëve tanë”.

“Jam e bindur edhe se Asambleja e PS-së është një organ i cili del nga zgjedhjet e  delegatëve, pra janë delegatët të cilët votojnë për Asamblenë. Jam e bindur se do kemi një numër të lartë të grave në asamble dhe po ashtu edhe në kryesi. Nga ana tjetër besoj fort se duke arritur të kemi një numër sa më të lartë të grave ne mund të arrijmë të kemi një politikë sa më të përgjegjshme dhe në anën tjetër të kemi një kontribut më të vyer dhe një vlerë të shtuar jo vetëm për PS por për të gjithë  shoqërinë shqiptare”, tha ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.