Ibrahim Basha, gjaku yt nuk do të bëhet kurrë para e pasuri për batakçinjtë/ I neveritur nga llumi që do drejtësinë për ta blerë e shitur

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Zv/kryeministri Erion Braçe ka përshëndetur sot operacionin e Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit të koduar “Mezhgorani”, ku u arrestuan 28 persona.

Braçe ka kujtuar efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha, i cili humbi jetën gjatë operacionit në Lazarat, ku të akuzuar për vrasjen e tij janë vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko. Arbion Aliko është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa vëllai i tij u dënua me 20 vjet burg në 21 mars 2018 për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha. Vëllezërit Aliko dhe persona të tjerë, dyshohet se ishin pjesëtar të të quajturit “grupi i zjarrit”, që qëlluan kundër policisë kur ajo u fut në Lazarat për aksionin e gjerë kundër drogës pesë vite më parë.

Operacioni “Mezhgorani” ka ndër të arrestuarit e tij, persona që akuzohen se do të ndërhynin, tek drejtësia, kundrejt korrupsionit, për të liruar Arbjon dhe Alban Aliko.

“Ibrahim Basha, shërbyes i Shtetit dhe i ligjit! Nuk do të harroj kurrë kush ty! Nuk do të shesë kurrë kush ty! Ti do të jesh përherë Dëshmor i Atdheut! Gjaku yt nuk do të bëhet kurrë para e pasuri për batakçinjtë! Bravo Prokurorisë së Republikës e bravo Policisë së Shtetit!”, ka theksuar Braçe.

“I neveritur nga llumi që do drejtësinë për ta blerë e shitur, i neveritur nga llumi politik që ulëret kundër Reformës në Drejtësi, por blerësit e shitësit i ka në listë deputetësh, i neveritur nga llumi me firmë e vulë që noterizon blerjen e shitjen e drejtësisë”, ka nënvizuar Braçe.

Pas një hetimi 6 mujor, policia e Shtetit ka bërë të mundur arrestimit 28 personave dhe shpalljen në kërkim të 6 të tjerëve për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” ‘’Falsifikimi i kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në një deklaratë për mediet, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu bëri të ditur sot detaje nga finalizimi i operacionit të koduar “Mezhgorani”, ku mes të arrestuarve është edhe botuesi dhe analisti Henri Çili, i cili akuzohet për 6 vepra të renda penale, “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.