BE-ja mirëpret masat e kryeministrit të Kosovës për tarifat ndaj mallrave serbe

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ -Bashkimi Europian mirëpriti vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e tarifave në importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si hap i parë drejt heqjes së tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe.

Zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano, tha në një komunikatë se Brukseli po pret të mësojë më shumë hollësi, por e mirëpret vendimin si një hap të parë që mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një mundësi për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuara nga Bashkimi Europian.

“Është humbur shumë kohë. Besimi duhet të rikthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm që bisedimet të rifillojnë në dobi të të dyjave”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, është i gatshëm të luajë rolin e tij si lehtësues i bisedimeve.

/gj.mima/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.