Akuzat e Metës/ Gjonaj: Gjithçka ka të bëjë me drejtësinë, po vendosim reformë radikale që garanton sundimin e ligjit

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, e ka përkufizuar përplasjen mes mazhorancës qeverisëse dhe Presidentit Meta thjesht si një çështje të drejtësisë.

Në një intervistë për Euronews, ministrja Gjonaj është shprehur se, “gjithçka ka të bëjë me drejtësinë. Ne po përpiqemi të vendosim një reformë radikale që do të garantojë shtyllat kryesore të sundimit të ligjit që do të thotë të kemi një sistem drejtësie të paanshëm, të pavarur, transparent dhe jo të korruptuar. Dhe është shumë e vështirë të ndryshohet mendësia, dhe jo mendësia e qytetarëve, por ajo e politikanëve”, tha ministrja Gjonaj.

E pyetur nëse thirrjet e Presidentit Meta për protestë tregojnë se ai beson se proceset politike nuk po funksionojnë dhe se qeveria po përqendron pushtetin rreth vetes me të gjitha këto reforma, Gjonaj tha se, “në fund të fundit bëhet fjalë për drejtësinë. Ne po përpiqemi të implementojmë këtë reformë siç parashikohej që në fillim, edhe formula dhe procedura e Gjykatës Kushtetuese janë hartuar me ekspertizën e ekspertëve të Komisionit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Kështu nuk mund të thuhet se Presidenti ka komente mbi mënyrën se si Gjykata Kushtetuese po kapet”.

Në lidhje me procedurat për shkarkimin e Presidentit, Gjonaj tha se, “ka pasur një numër veprimesh nga Presidenti i Republikës, dhe kjo është arsyeja pse ka një komision që po heton gjithë procedurat dhe vendimet e Presidentit. Por, siç e përmenda, gjithçka ka të bëjë me drejtësinë, ne po përpiqemi të vendosim një reformë radikale që do të garantojë shtyllat kryesore të sundimit të ligjit që do të thotë të kemi një sistem drejtësie të paanshëm, të pavarur, transparent dhe jo të korruptuar. Dhe është shumë e vështirë të ndryshohet mendësia, dhe jo mendësia e qytetarëve, por ajo e politikanëve”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.