398 hektarë zona rindërtimi/ Margariti: Do të zhvillohen 7981 apartamente në banesa kolektive dhe 806 banesa individuale

TIRANË, 28 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ – Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se janë identifikuar deri tani 398 hektarë zona rindërtimi, në të cilat do të zhvillohen 7981 apartamente në banesa kolektive dhe 806 banesa individuale.

“Kemi identifikuar deri tani 398 hektarë zona rindërtimi, në të cilat do të zhvillohen 7981 apartamente në banesa kolektive dhe 806 banesa individuale. Jemi me një sipërfaqe tejet të madhe që ka të bëjë me 180 mijë m2  rindërtim ku përfshihen edhe objekte publike”, – tha Margariti në konferencën e mbajtur në Kryeministri për prezantimin e projekteve të rindërtimit.

“Këto numra japin në tërësi të gjithë punën dhe të gjithë angazhimin e ndërmarrë në procesin e rindërtimit, i cili nuk fokusohet vetëm me një solidaritet personal, por është tejet i gjerë në të gjithë territorin”, – u shpreh ministrja Margariti.

“Kemi ecur me programin e rindërtimit me identifikimin e zonave, ku tashmë kemi plane të miratuara, plane të detyruara vendore dhe këto janë 3 zona që tashmë janë miratuar, kanë kaluar në këshillat bashkiakë”, – shtoi Margariti.

“Është në bashkinë Kurbin, zona e parë, ajo në bashkinë e Laçit, zona ku do të akomodohen 500 apartamentet të bashkëpunimit dhe dhurimit të qeverisë turke”, – tha Margariti.

Margariti theksoi se, “në bashkinë Krujë, në Thumanë një nga zonat më të goditura, më të prekura kemi tashmë planin e detajuar dhe të detyruar vendor”.

“Në bashkinë Shijak që është një nga projektet më të veçantë, në krahasim me dy të mëparshmit, pasi kemi një planifikim rindërtimi në zonat ku pallatet e dëmtuara janë prishur dhe rindërtohen në të njëjtën hapësirë dhe jo më si në dy zonat e para ku do të ketë rindërtim në lagje totalisht të reja të rikonceptuara nga fillimi”, – tha Margariti.

“Në këto 3 zona kemi 1716 familje në banesa kolektive dhe 366 familje në banesa individuale”, – nënvizoi Margariti.

“Nuk flasim vetëm për akomodim të nevojave rezidenciale, por flasim mbi të gjitha për shtim të shërbimeve të munguara të këtyre komuniteteve, që kanë të bëjnë me njësitë e shërbimit, me parkimet, me infrastrukturën primare dhe sekondare, objekte publike dhe hapësira publike, ashtu si dhe qendra kulturore, qendra shëndetësore dhe objekte arsimore”, – tha Margariti.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.