“Real Madrid” dhe “Barcelona” në garë për shërbimet e Lautaro Martinez

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ -Real Madrid dhe Barcelona do të përballen këtë të dielë në ndeshjen më të rëndësishme të vitit në Spanjë, “El Classico”,e cila mund të përcaktojë fatin e titullit të La Ligas në këtë sezon.

Ndërsa në verë, “Los Blancos” dhe “Blaugranat”, do të sfidohen për Lautaro Martinezin.

Sulmuesi i Interit, prej kohës është shndërruar objektiv i Barcelonës për të zëvendësuar Luis Suarezin. Sponsorizohet nga ikona e futbollit, Lionel Messi, por edhe rivalët madrilenë po nisin të mendojnë për argjentinasin, duke parë rendimentin e ulët të Luka Jovicit.

“El Mundo Deportivo”, që ka shkruar e para për interesin e Barcelonës për Lautaron, tani flet edhe për futjen në lojë të Realit. Situata e sulmuesit zikaltër është e njohur: ka klauzolë largimi 111 milionë euro, e vlefshme vetëm për jashtë Italisë dhe vetëm për pak ditë në korrik.

Gjigantët spanjollë nuk e kanë problem ta shpenzojnë këtë shumë për një 22-vjeçar në rritje progresive, por duhet të bindin vetë futbollistin nëse biletën do ta presë për “Camp Nou” apo për “Santiago Bernabeu”.

Në lëvizje janë vënë edhe drejtuesit e Interit, që prej kohësh po tentojnë rinovimin e kontratës me Lautaron, për ta rritur, hequr fare apo ndryshuar detajet e klauzolës së largimit.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.