Koronavirusi sfidë globale/ Rama: Të përgatitur ta përballojmë në bashkëpunim të ngushtë me OBSH-në

TIRANË, 27 shkurt/ATSH-Maela Marini/ “Koronavirusi është një sfidë globale, të cilën jemi të përgatitur ta përballojmë në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sigurisë, për masat e marra për përballimin e rrezikut nga koronavirusi.

“Në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e OBSH-së kemi kryer të gjitha hapat e përcaktuara për të përgatitur përballjen me shfaqjen e mundshme të koronavirusit në territorin e Shqipërisë. Faktikisht, qysh prej muajit dhjetor kur u shfaqën rastet e para në Kinë, e gjithë bota hyri në një situatë gjendje jo të zakonshme dhe faktikisht OBSH shpalli emergjencën ndërkombëtare. Natyrisht edhe ne menjëherë filluam kontaktet e domosdoshme dhe në një botë që është gjithmonë e më e vogël për shkak të ndërveprimit gjithnjë e më intensiv, gjithkush është i ekspozuar ndaj riskut me një koeficient që gjithnjë i bashkohet sëmundjeve infektive, që është koeficienti i së panjohurës, që e bën sëmundjen edhe më të frikshme”, tha Rama.

Kryeministri tha se “e panjohur është origjina e virusit në rastin konkret, dhe konkretisht duhet të kemi parasysh Italinë fqinje ku edhe tani që flasim ende vazhdojnë përpjekjet për të gjetur pacientin ‘zero'”. Po ashtu, Rama tha se “edhe informacionet e përditësuara që merren në kohë reale nga Kina tregojnë për dyshime të vazhdueshme lidhur me origjinën e vërtetë të këtij virusi”.

“E panjohura tjetër është ajo për përhapjen. E vetmja gjë që dihet botërisht është se përhapja është e shpejtë. Një nga pyetjet që sot diskutohet është: si ka mundësi që vendet në kufi me Kinën nuk kanë ende asnjë rast të shfaqur dhe diskutimi vazhdon. E
panjohura tjetër është për mënyrën e luftimit më efikas. Pavarësisht përpjekjeve të ethshme dhe të koordinuara ndërkombëtarisht ende nuk është arritur tek një vaksinë specifike dhe me sa komentohet do të kërkojë akoma kohë”, tha Rama.

Duke folur për masat e marra, Rama tha se “profesionalizmi ka qenë shembullor, kjo e konfirmuar nga OBSH”.

“Deri sot, tani që flasim, në Shqipëri nuk kemi asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit. Janë testuar deri sot në laboratorin e virologjisë në ISHP, një laborator referencë i certifikuar nga OBSH, 17 raste të dyshuara që kanë rezultuar të gjitha negative. 17 individë të dyshuar për marrjen e virusit që pas testeve rezultojnë të paprekur”, tha Rama.

Ai theksoi se “situata është ndjekur me vëmendje të veçantë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes që ka ngritur që në momentin e parë taskforcën dhe Komitetin Teknik të ekspertëve për parapërgatitjen, parandalimin dhe kontrollin në sfidën e madhe, që është një sfidë globale por është një sfidë që do ta përballojmë ne, sipas rekomandimeve të OBSH-së, në zbatim të rregullores ndërkombëtare të shëndetit me të gjithë ekspertët dhe duke ndërtuar një strategji me të gjitha hapat në funksion të përballimit të rrezikut”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.