KLGJ nis procesin e intervistave për kandidatët në Gjykatën e Lartë

TIRANË, 27 shkurt /ATSH – I. Vata/ Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton opinionin publik në lidhje me përfundimin e procesit të vlerësimit dhe pikëzimit paraprak të kandidatëve, në kuadër të procesit të përzgjedhjes së tyre për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, në tre pozicionet e lira në fushat e së drejtës administrative, civile dhe penale.

KLGJ sqaron se nga lista fillestare prej 21 kandidatësh, janë kualifikuar për të vijuar procedurën e përzgjedhjes për emërim tre kandidatë, për të cilët Këshilli ka vendosur zhvillimin e intervistave në seanca dëgjimore në datën 27.02.2020, duke filluar në orën 10:00.

Në përfundim të këtij procesi, Këshilli do të kryejë vlerësimin dhe pikëzimin përfundimtar të tre kandidatëve jogjyqtarë, nga katër pozicione që janë gjithsej dhe do t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e tyre gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.

“Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin për pozicionin e katërt nga radhët e juristëve të spikatur, si edhe vendosi në mbledhjen e datës 26.02.2020 hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson në mënyrë të veçantë interesin e publikut dhe do të informojë në vijimësi mediet për të gjithë hapat e matur që do të ndjekë për plotësimin me gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, në mënyrë që ajo të përmbushë rolin e saj të rëndësishëm për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore dhe për forcimin e besimit të publikut te sistemi gjyqësor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.