FOTO/ “Muaji i Kujtesës”, ekspozohen për herë të parë libra të ndaluar në komunizëm

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Për herë të parë Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, çeli të enjten një ekspozitë të veçantë kushtuar temës së librave të ndaluar për publikun gjatë komunizmit.

Vlera e veçantë e kësaj ekspozite të titulluar “Libra të ndaluar në komunizëm” qëndron në faktin se krahas ekspozimit të librave të ndaluar, ajo shoqërohet dhe me një sërë dokumentesh arkivorë lidhur me politikat, udhëzimet, urdhrat lidhur me ndalimin e librave. Një gjë e tillë u bë e mundur në sajë të bashkëpunimit e mbështetjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit.

Kjo ekspozitë skicon historikun e censurës në Shqipëri përmes dokumenteve arkivore të urdhëresave mbi ndalimin e qarkullimit të botimeve, fshirjen e emrave të redaktorëve ose përkthyesve, hedhjen e librave për karton, pezullimin dhe ndalimin e botimit të autorëve të shpallur si armiq të dënuar nga regjimi i kohës, pastrim të botimeve të elementëve armiq, autorë shqiptarë dhe të huaj, botime brenda Republikës së Shqipërisë por edhe jashtë saj.

Ekspozita hapet me vendimin e Gjykatores Popullore të Tiranës, publikuar në gazetën “Bashkimi” më datë 27 mars të vitit 1948, përmes së cilës vendosej heqja nga qarkullimi i librave dhe të përkohshmeve “të dëmshme për shoqërinë”, me të cilën fillon zyrtarisht logjika e censurës që do të bëhet një ndër tiparet dalluese të regjimit, duke ndaluar autorë të tillë si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Kristo Floqi,  Hamit Gjylbegaj, Pjetër Gjini, Mehdi Frashëri, Terenc Toci, Ernest Koliqi, Gjon Shllaku, Anton Harapi, Mitrush Kuteli, Mustafa Kruja, Justin Rrota, Tajar Zavalani, Kristo Dako, e shumë të tjerë.

Kjo censurë do të vijojë në vitet pasuese me urdhëresat të ndryshme të  Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, duke hequr nga qarkullimi veprat të autorëve, redaktorëve ose përkthyesve dhe duke udhëzuar Bibliotekën Kombëtare t’i ruajë ato në Fondet Rezervat, çka solli shënjimin e tyre dhe të skedave me siglat R (Rezervat), Sh. R (Shumë të rezervuar), Ra (Autor i rezervuar) të botimeve të fondit shqip dhe atij të huaj.

Pjesë e Fondit Rezervat të Bibliotekës Kombëtare ishin autorë, përkthyes, redaktorë si Kasëm Trebeshina, Mustafa Gërblleshi, Mitrush Kuteli, Bilal Xhaferi, etj, por edhe vepra të veçanta të autorëve si Petro Marko, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Vedat Kokona, Haki Stërmilli, Sabri Godo, Xhevahir Spahiu, Arben Xoxa, Moikom Zeqo, Bashkim Shehu, Fadil Paçrami, Pal Doçit, Eqerem Biba, Kudret Velça, Ruzhdi Mata, etj. Censura nuk përfshinte vetëm fushën e letërsisë dhe krijimtarisë artistike, por edhe vepra studimore si në fushën e ekonomisë, bujqësisë, shëndetësisë, arkeologjisë, politikës, psikologjisë apo pedagogjisë, të lidhura këto me dënimin e autorit ose redaktorit.

Vlen për të theksuar se pjesë e fondit të rezervuar kanë qenë edhe një sërë studimesh nga studiues shqiptarë dhe të huaj mbi Shqipërinë, pjesë e Fondit Albanologjik, si : Fulvio Cordignano, Giuseppe Gradilione, Martin Camaj, Namik Resuli, Peter Bartl, Bernard Fischer, Hans Hartl, etj.

Fat të ngjashëm pësuan edhe shumë autorë të huaj, veprat e të cilëve u ndaluan të qarkullonin, qoftë edhe pasi ishin përkthyer në gjuhën shqipe, apo dhe në gjuhë të huaja. Një fat të tillë e patën veprat e shkrimtarëve të tillë si Stendal, Dante Aligeri, Ernest Heminguej, Lion Fojhtvanger, Xhovani Bokaçio, Erich Maria Remark, Marsel Prust, Albert Kamy, F. M. Dostojevski, Leon Tolstoj, Boris Pastërnak, Miroslav Kërlezha, Fridrih Shiler, John Golsuorth, Lui Aragon,etj.

Në këtë ekspozitë një hapësirë të veçantë zënë edhe botimet e shtypura në Kosovë nga shtëpia botuese “Rilindja”, të cilat shërbeheshin me autorizime të posaçme nga institucionet studimore, si Anton Pashku, Ali Prodrimja, etj.

Ekspozita “Libra të ndaluar në komunizëm” do të qëndrojë e hapur për publikun çdo ditë nga data 27 shkurt deri më 3 mars në Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.