Cakaj takon Komisionerin e Zgjerimit në BE: Optimist për raportin e komisionit dhe hapjen e negociatave

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj bëri me dije se në Pragë, së bashku me ministrat e Jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Komisionerin e Zgjerimit, Várhelyi, veç të tjerash, biseduan edhe për rëndësinë e çeljes së negociatave me Shqipërinë gjatë këtij viti.

“Paraqitja e metodologjisë së re tashmë e ka bërë procesin e negociimit për anëtarësim më të besueshëm, më të parashikueshëm dhe më dinamik”, theksoi Cakaj.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj shtoi se të gjithë pjesëmarrësit ndanë pikëpamjen se kjo qasje duhet t’i shtyjë vendet anëtare për të avancuar me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.

Për më tepër, brenda pak ditësh pritet të dalë edhe Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, për të treguar edhe njëherë se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE.

“Mbi këtë bazë, ne shpresojmë se vendet anëtare do të marrin një vendim pozitiv për fillimin e negociatave me Shqipërinë bazuar në të arriturat madhore të saj”,- u shpreh Cakaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.