Shehu: Karantinë për koronavirusin në Spitalin Infektiv, lajm aspak normal

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu u shpreh se qeveria ka lajmëruar se Spitali Infektiv do të jetë karantinë për koronavirusin, duke vlerësuar se është një lajm aspak normal. Shehu theksoi se strategjia është e ndërtuar kokëposhtë.

“Si është e mundur të mendohet që një “spital”, brenda QSUT të kthehet në karantinë në këtë rast”, tha ish-deputeti i PD-së.

“Dua të pyes, a e dinë ata që e thonë këtë se çfarë është “karantina” dhe diferencën e saj me një spital, aq më tepër me një spital ku deklarohet se do të vijnë rastet e mundshme me këtë virus, komplikacionet nga ai, që kërkojnë edhe Terapi Intesive”, u shpreh Shehu.

Ai solli shembullin e karantinave në vende të tjera të botës.

“Karantina aty është brenda qendrave ushtarake apo të afërta, dhe është vetëm për ata që kanë një dyshim, si p.sh., sepse kanë pasur kontakte me rastet e infektuara, duke qëndruar aty detyrueshëm për 14 ditë, pra jo të sëmurë. Më tej nëse janë të shëndoshë shkojnë në shtëpi, pa u përzjerë me të sëmurët apo me një spital”, u shpreh Shehu.

“Në qoftë se dalin të infektuar kalojnë në spital ku shtrohen të gjithë ata që kanë këtë infektim, e që quhen kështu të sëmurë, pavarësisht nëse janë në gjendje të lehte apo serioze deri për reanimacion, duke qëndruar aty gjer në shërim të plotë”, tha Shehu

“Ajo çfarë po lexoj është një strategji e ndërtuar “kokëposhtë”, tha ai, duke shtuar se është kështu pasi shteti ka dështuar e kjo strategji bazohet mbi “mosshtrimin në spital edhe të rasteve të infektuara, por në gjendje jo të rëndë, si dhe në konceptin e vetëkarantinimit”, që janë koncepte të vendeve të pazhvilluara, pa shërbim shëndetësor, me sëmundshmëri e vdekshmëri shumë të lartë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.