OFL kërkesë për vetëdeklarim pasurie dy të dënuarve për vrasje dhe trafik të lëndëve narkotike

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, dy shtetasve A.B., banues në Shijak i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale vrasje me paramendim dhe A. K., banues në Shijak, i dënuar nga Gjykata e Pisas, Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.

Në njoftim thuhet se “Operacioni Forca e Ligjit po vijon bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, personave që janë subjekt i këtij ligji.

Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve A.B., banues në Shijak, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe A. K., banues në Shijak, dënuar nga Gjykata e Pisas, Itali, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

Brenda 48-orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse.

Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.