Akademia e Shkencave përfundon studimin/ Standardet e Eurokodit 8 në zbatim në programin e Rindërtimit

 

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/- Kodi i ri teknik antisizmik për ndërtimet, i përpiluar nga profesorët e fushës, që bazohet në standardin europian Eurokodi 8, do t’i shërbejë programit të ri të rindërtimit dhe të gjitha ndërtimeve në vendin tonë, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, gjatë takimit që zhvilloi sot në Tiranë, me grupin e akademikëve të fushës së sizmiologjisë, u shpreh se, “në dhjetor të vitit të kaluar, është ngritur njësia përkatëse e drejtuar nga profesori Shyqyri Aliaj, që ka hartuar studimin përkatës për kodin e ri teknik antisizmik në ndërtimet”.

“Kjo njësi, vijoi Gjinushi, ka pasur për detyrë të bëjë të zbatueshëm këtë studim, duke vënë në bazë të projektimeve të reja, Eurokodin 8, në Programin e Rindërtimit, por edhe në ndërtimet e tjera që do të kryhen më tej, për ndërtime të qëndrueshme dhe rezistente ndaj tërmeteve, si fazë e parë, me qëllim që zbatohen studimet e arritura nga Instituti  Sizmiologjik, që janë të shprehura në një studim të përbashkët nga profesorët më në zë të fushës”

“Ky studim paraqitet sot këtu, për të marrë një vlerësim më të zgjeruar, për të marrë mbështetjen e specialistëve të fushës, përpara se t’i jepet për zbatim Komitetit Shtetëror të Rindërtimit dhe për ta bërë të zbatueshëm atë që në fazën e parë të Rindërtimit, por edhe më tej, për të gjitha ndërtimet e infrastrukturës që do të përfshihen në vendin tonë”, u shpreh ai.

Profesori i njohur, Shyqyri Aliaj tha se tërmeti i 26 nëntorit ishte ndër më të fuqishmit që kanë goditur vendin.

Përballë kësaj përgjegjësie, u shpreh ai, lindi nevoja se çfarë mund të bënim ne specialistët e fushës, për të përballuar situata të tilla. “Morëm iniciativën për të hartuar sa më shpejt Kodin e ri teknik antisizmik, që zëvendëson kodin e vjetër të vitit 1989”, u shpreh Aliaj.

“Grupi ynë, duke punuar pranë Akademisë së Shkencave, realizoi në kohë rekord hartimin e këtij studimi që të vihet në jetë në Programin e ri që po ndërmerr qeveria, atë të Rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit”, theksoi profesori Aliaj.

Gjatë këtij takimi, eksperti Markel Baballëku, shpjegoi në detaje punën e bërë nga profesorët që nga krijimi i hartave të reja sizmike, për të gjitha zonat e Shqipërisë, e deri në klasifikimin e elementëve që përmban “Eurokodi 8” që i adresohet çdo etape dhe elementët në ndërtim, duke garantuar qëndrueshmëri ndaj tërmetit sipas standardeve europiane bashkëkohore. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.