Voda: Bashkëpunim me Malin e Zi për mbrojtjen ndërkufitare të fëmijëve viktima të trafikimit

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ – Ngritja e mekanizmit transnacional të referimit dhe mbrojtja ndërkufitare e fëmijëve viktima dhe viktima të mundshme të trafikimit, ishin në qendër të takimit që zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila është edhe Koordinatore Kombëtare Antitrafik zhvilloi me Zeljko Spalevic, drejtues i Departamentit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të Malit të Zi.

“Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtare Antitrafik prita në një takim koordinues për ngritjen e mekanizmit transnacional të referimit dhe mbrojtjen ndërkufitare të fëmijëve viktima dhe viktima të mundshme të trafikimit, Zeljko Spalevic, Drejtues i Departamentit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të Malit të Zi”, tha Voda.

Zv/ministrja Voda theksoi se, “puna dyvjeçare e zyrave të Koordinatorëve Kombëtar të Anti-trafikimit në të dyja shtetet, në bashkëpunim me Terre des hommes, u përforcua në këtë takim me diskutimet mbi problematikat e identifikuara nga të dyja shtetet dhe aplikimin e procedurave të unifikuara për bashkëpunim ndërkombëtar për menaxhimin e çështjeve për mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit me fokus të veçantë te fëmijët”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.