Meta: Zgjidhjen e krizës nuk e pres nga ndërkombëtarët por vetëm te respektimi i Kushtetutës

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste televizive theksoi se zgjidhjen e krizës, nuk e pret nga ndërkombëtarët, pasi zgjidhjet janë në Kushtetutë.

“Për atë Kushtetutë që votuam me 140 vota ne na u puthën në buzë dy ambasadorët më të rëndësishëm nga gëzimi i madh, që bëmë me konsensus. Ashtu sikur për fat të keq bekuan kapjen e prokurorisë me 69 vota në kundërshtim të hapur me përcaktimin me 84 vota. Unë nuk e pres zgjidhjen nga diplomatë që sot janë në Shqipëri dhe nesër ikin në Taxhikistan, Afganistan apo dalin në pension. Unë zgjidhjen e pres vetëm te respektimi i Kushtetutës. Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona të përditshme”-, tha Kreu i Shtetit.

“Ambasadorët të gjithë folën përpara dhe bënë gabim, dolën jashtë statusit të tyre diplomatik. Mendoni sikur ambasadorja e Shqipërisë në Romë të vinte në diskutim dekretin e Presidentit italian, do ta kishin paketuar, ambalazhuar, sikur paketohen ato plaçkat, që sillen dhe për 24 orë do ta kishe në Rinas. E dyta mirë ata e bënë, dhe unë u thashë se nuk është kërkesë për Venecian se është qesharake, se e ka shkruar se ndërtohet në mënyrë të balancuar nga presidenti, që është i pari, parlamenti, demokratik jo si ky i joni dhe nga gjykata e lartë”-, u shpreh presidenti Meta.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.