ZVICËR – Guterres: Plan veprimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

GJENEVË, 24 shkurt /ATSH-DPA/ – Qeveritë në të gjithë botën duhet të vendosin të drejtat e njeriut në qendër të punës së tyre nëse duan të mbrojnë stabilitetin, rritjen dhe të ardhmen e planetit, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ndërsa njoftoi fillimin e një plani global veprimi për të drejtat e njeriut.

Në hapjen e seancës së Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Guterres deklaroi se arsyeja e hartimit të këtij plani ishte sepse të drejtat e njeriut po sulmoheshin.

“Përveç krimeve të luftës, shfrytëzimit të grave, persekutimit të aktivistëve dhe shfarosjes së minoriteteve, bota përballet gjithashtu me sfida të reja të të drejtave të njeriut, në formën e ndryshimit të klimës dhe përparimeve teknologjike”, theksoi ai.

“Njerëzit po mbeten pas. Frika po rritet. Përçarjet po zgjerohen”, shtoi shefi i OKB-së, duke paralajmëruar se disa udhëheqës po shfrytëzojnë ankthet. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.