Taskforca me plan të mirëpërcaktuar, profesor Tritan Kalo: Asnjë i prekur deri tani nga koronavirusi, të gjithë duhet të ndjekin masat parandaluese higjienike

 

TIRANË, 24 shkurt /ATSH – I. Vata/ “Në Shqipëri asnjë i sëmurë nga koronavirusi, s’ka vend për panik”, – tha sot për ATSH-në nga aeroporti i Rinasit, prof. ass. dr. Tritan Kalo, mjek infeksionist në QSUT.

Prof. Kalo tha se, “taskforca ka mirëpërcaktuar masat dhe ka një plan pune që sot u vunë në dukje pjesë të atij plani, i cili do të aplikohet me ndryshimin e situatës epidemiologjike në vendi tonë, meqenëse infeksioni nuk është aq i largët sikur ishte në Kinë, por është në dyert tona, në Itali”.

Ai theksoi se për momentin nuk ka asnjë të sëmurë në Shqipëri.

“Nga të gjithë ata që kanë ardhur nga Italia, kujdesi bëhet që në momentin e hyrjes së individëve, nëse kanë ardhur nga zonat e prekura në Itali, ose nëse kanë shenja klinike të ngjashme me gripin”, – tha ai.

Po ashtu Kalo shton se “duhet të kemi të qartë se koronavirusi nuk është gjë tjetër vetëm se një grip si të gjithë dhe duhen marrë masat e parandalimit, si higjiena personale dhe higjiena e ushqimit, si në çdo grip tjetër”.

Kalo tha se nuk ka pse të ketë panik, thjesht këshillohet marrja e masave.

“Shenjat janë si me gripin e zakonshëm, por nëse ke shenja shtesë si kollë e pashpjegueshme, apo vjen nga zonat e prekura, duhet të paraqitesh në mjediset mjekësore, duke marrë 127, që individët të shkojnë në qendra pritëse”, – tha ai.

Duke folur për kapacitetet e Ministrisë së Shëndetësisë për përballimin e situatës, Kalo tha se vendi ynë është përballur me epidemi, siç ishte ajo e “gripit të derrit” në 2019, ku nuk kishim njohuritë dhe këto kapacitete që kemi sot.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.