TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ “Për ne është një jetë e dytë, sikur kemi rilindur” – Albert Cara dhe Marlin Shkodra, dy të mbijetuarit nga tërmeti i datës 26 Nëntor u pritën sot në Aeroportin “Nënë Tereza” nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Pas tre muajsh trajtimi të specializuar në një prej spitaleve më të mira në Itali, në Poliklinikën e Barit, Alberti dhe Marlini janë kthyer sot në Shqipëri, në gjendje të mirë shëndetësore.
Ata janë shoqëruar edhe nga ekipi i mjekëve që i ka trajtuart për afro 3 muaj në vendin fqinj.
“Nuk më besohet që jeni në gjendje kaq të mirë. Shumë faleminderit miqve tanë italianë për ndihmën e pakursyer”, u shpreh ministrja Manastirliu.
54 vjeçari Albert Cara që ka humbur plotësisht familjen (bashkëshorten dhe dy djemtë) në tragjedinë e ndodhur nga shembja e pallatit në Thumanë u transportua me helikopter me 29 nëntor për një trajtim të mëtejshëm mjekësor në Bari të Italisë.
Kryeministri Rama dhe Ministrja Manastirliu kishin ndjekur nga afër ecurinë e Albertit në spitalin e Traumës dhe më pas transferimin e tij drejt Rinasit. Ndërsa Marlin Shkodra, 30-vjeçari nga Durrësi u dërgua në Itali në gjendje kome.
Qeveria italiane, nëpërmjet departamentit të mbrojtjes civile ofroi mbështetjen për trajtimin e dy të mbijetuarve, të cilët sot rikthehen në shtëpi shëndosh e mirë.
e.xh/