Panairi Ndërkombëtar i Bujqësisë në Paris/ Çuçi, bisedime me Institutin e Blegtorisë për marrëveshjen e re të bashkëpunimit

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, i pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë, që mbahet në Paris, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Institutit prestigjoz francez të Blegtorisë për marrëveshjen e re kuadër të bashkëpunimit teknik në fushën e blegtorisë, transferimit të njohurive dhe bashkëpunimit me Qendrën e Trajtimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Korçë.

Çuçi shprehet se, edicioni i 57-të i kësaj ngjarjeje të madhe europiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural ka fokus blegtorinë.

“Franca ka ndihmuar prej dekadash në këtë drejtim dhe ka një përvojë të vyer, e cila na nevojitet ende, sidomos tek përmirësimi i racave të të imtave dhe mbarështimi i atyre me prodhimtari të lartë”, – thotë ministri.   

Sipas tij, në Shqipëri aktualisht janë implantuar tri raca franceze, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. Ndërsa gjatë kësaj vizite, zhvilloi një takim tjetër të rëndësishëm me Sekretarin e Përgjithshëm të CIHEAM – Qendra Ndërkombëtare për Studimet e Larta Agronomike, Placido Plaza dhe me Drejtorin e IAMM, Pascal Bergeret, me të cilët diskutoi  për bashkëpunimin në fushën e studimeve, bursave dhe mundësive për përfshirjen e të rinjve të kualifikuar në sektor.

“Gjatë këtij viti në Shqipëri përmes Skemës Kombëtare ne do të mbështesim me prioritet blegtorinë nëpërmjet pagesave për tufën bazë të matrikulluar. Synojmë të rrisim konkurrueshmërinë e produkteve blegtorale dhe të ulim kostot e prodhimit të fermave”, – shprehet Çuçi.

e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.