OBSH: Shumë herët për të folur për pandemi të COVID-19, mund të frenohet së përhapuri

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/- OBSH tha sot se shpërthimi i koronavirusit të ri nuk është globalisht jashtë kontrollit, nuk po shkakton vdekje në shkallë të gjerë dhe se është shumë herët për të folur për një pandemi.

“Përdorimi i fjalës pandemi nuk i përshtatet fakteve, ne duhet të përqëndrohemi në përballimin e virusit, ndërsa përgatitemi për një pandemi të mundshme”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë shtypi në Gjenevë.

Dr. Mike Ryan, kreu i Programit të Urgjencave të OBSH-së, tha se shkalla e lartë e vdekshmërisë mund të reflektojë zbulimin vetëm të rasteve të rënda dhe jo të infeksioneve të lehta në fillimin e shfaqjes së virusit.

Kina raportoi 409 raste të reja në kontinent, nga 648 të një ditë më parë.

Më shumë se 20 juridiksione në nivel krahinor, përfshirë Pekinin dhe Shanghain, raportuan zero infeksione të reja.

Jo zyrtarisht, pandemia përdoret për të treguar shpërthimin e një patogjeni të ri që përhapet lehtësisht nga njeriu në të gjithë globin, tha zëdhënësi i OBSH-së, Jasarevic.

“Ajo që ne po shohim për momentin janë shpërthime dhe grupime të rasteve në shumë vende. Disa vende kanë ndaluar transmetimin. Ata duhet të qëndrojnë vigjilentë për mundësinë e rivendosjes. Ka të ngjarë të ketë më shumë raste në më shumë vende”, tha ai.

“Përveç përkufizimeve dhe terminologjisë, këshillat tona mbeten të njëjta, dhe ne vazhdojmë të punojmë me vendet për të kufizuar përhapjen e virusit, ndërsa gjithashtu përgatitemi për mundësinë e përhapjes më të madhe”, tha ai.

Sipas OBSH, fëmijët janë shtresa më pak e rrezikuar nga koronavirusi, ndërsa më të rrezikuarit janë të moshuarit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.