Koronavirusi/Shtim i masave të kontrollit në Portin e Durrësit

TIRANE, 24 shkurt/ATSH/- Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Portit të Durrësit Pirro Vengu, Silva Bino, shefe e sektorit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Prefekti i Qarkut Durrës  Roland Nasto, diskutuan sot paradite në mjediset e Autoritetit Portual Durrës mbi bashkërendimin dhe shtimin e masave të kontrollit nga rreziku i koronavirusit në pikëkalimin kufitar të portit më të madh të vendit.

Tashmë në Terminalin e Trageteve, Njësia e përhershme e APD për Mbrojtjen e shëndetit është pjesë e grupit kombëtar të Task Forcës, me anëtarë edhe nga ISHP dhe Drejtoria vendore e Shëndetit Publik.

Nën kujdesin e Autoritetit Portual Durrës, në sheshin e trageteve është dyfishuar numri i personelit shëndetësor.

8 mjekë, nga APD, institucionet vendore dhe nga Tirana monitorojnë çdo ditë hyrjet e udhëtarëve me tragete nga portet e Italisë.

Të pajisur me mjetet e nevojshme dhe termometra lazer, mjekët dhe personeli mbështetës, përveç parametrave shëndetësorë kontrollojnë gjithashtu edhe itineraret e lëvizjes së udhëtarëve para mbërritjes në portin e Durrësit.

Që nga njoftimi i parë për rrezikun nga koronavirusi, në portin e Durrësit janë zbatuar në bashkëpunim me ISHP, një sërë masash shtesë, që synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve vendas dhe të huaj që zgjedhin të lundrojnë me tragetet.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.