Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron drejtuesen e prokurorisë së Apelit, Korçë

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot mbledhjen plenare të radhës, në prani të të gjithë anëtarëve dhe në prezencë të përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT si dhe vёzhgues tё tjerë tё akredituar.

Pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi me shumicë votash, miratimin e raporteve për analizimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit kalimtar, prokurorëve: Abaz Muça, Adriano Dyrmishi, Alketa Zifla, Bledar Maksuti, Enrik Haxhiraj, Marjeta Zaimi, Rozeta Qirjaqi.

Me 8 vota pro, 1 kundër (Besnik Cani) si dhe në mungesë të Bujar Sheshi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbështetur nё Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, vendosi Ollga Visi, të caktohet përkohësisht në funksionin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë.

Këshilli vendosi gjithashtu që Ollga Visi, të ushtrojë detyrën si Drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, përkohësisht nga data 24.02.2020 – 23.05.2020. Vendimi u miratua me 7 vota pro, 2 kundër (Nurihan Seiti dhe Besnik Cani) dhe 1 në mungesë të Bujar Sheshi.

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi me shumicë votash edhe miratimin për caktimin e përkohshëm të Julian Çafka, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me propozim të Komisionit Për Zhvillimin e Karrierës vendosi me 10 vota pro dhe 1 në mungesë (Bujar Sheshi), ndërprerjen e caktimit të përkohshëm të Francesk Ganaj, si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë dhe kthimin e tij në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ku e ka emërimin.

Para Këshillit janë prezantuar opinionet për kandidatët, të cilët kanë shprehur interesin për t’u komanduar pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Midis 2 kandidaturave, Këshilli miratoi me 10 vota pro, opinionet për kandidimin e  Mirela Kapo.

Me 10 vota pro, janë miratuar edhe prezantimet e opinioneve për kandidatët, të cilët kanë shprehur interesin për t’u komanduar në pozicionin Këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për një periudhë kohore 3-vjeçare, si vijon: Ornela Rrumbullaku, Artur Cara, Mihallaq Bleta, Arian Muçaj, Erion Pano dhe Vitjona Mata.

Me 10 vota pro janë miratuar projektvendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kancelarët në detyrë në sistemin e prokurorisë dhe projektvendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët që kanë shprehur interesin për t’u komanduar si inspektor në ILD, si vijon: Elena Pelushi, Xhevahir Lita, Daniela Sulaj, Sonila Muhametaj Domi.

Gjithashtu Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi, për shtyrjen e afatit të aplikimit për plotësimin e dy pozicioneve vakante si prokurorë në  Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli ka miratuar projektvendimi për fillimin e procedurave të komandimit të një magjistrati prokuror pranë EUROJUST për një periudhë 30-mujore duke kaluar për miratim kriteret për aplikim për këtë pozicion mjaft të rëndësishëm.

Në përfundim të seancës plenare, është hedhur shorti për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit të cilët do të jenë pjesë e Komisionit të Posaçëm për vlerësimin paraprak të kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, ku shorti ka përzgjedhur Besnik Canin dhe Tartar Bazajn. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.