Transformim thelbësor për Librazhdin, Balla: Investimet do të vijojnë

 

TIRANË, 23 shkurt/ATSH-Maela Marini/ “60-vjetori i krijimit të qytetit e gjen Librazhdin në një transformim thelbësor, ndërsa investimet do të vijojnë”, deklaroi sot kryetari i grupit paramentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut të Elbasanit.

Në 60-vjetorin e krijimit të Librazhdit, Balla uroi të gjithë qytetarët pa asnjë dallim krahësh politikë, ndërsa u shpreh se “jemi në një moment të rëndësishëm të transformimit të qytetit”.

“Librazhdi është sot në një moment të transformimit të gjithanshëm infrastrukturor. Në një kohë të shkurtër, ne kemi arritur që t’ia ndryshojmë tërësisht pamjen qytetit. Tanimë jemi në një fazë e edhe më të thellë transformimi, atë të investimeve në shumë projekte infrastrukturore. Pas investimit që garantoi ujë të pijshëm cilësor për Librazhdin, tashmë jemi në programin më të madh të investimit në kanalizimet e ujërave të zeza që janë po aq të vjetra sa qyteti”, tha Balla.

Ai siguroi se “transformimi i Librazhdit do të vijojë edhe këtë vit me rikonstruksionin e plotë të të gjitha mjediseve arsimore të qytetit”. “Kopshtet dhe çerdhet janë pjesë e këtij projekti, po ashtu edhe shkolla e mesme”, tha ai.

Balla u shpreh se, punësimi ka qenë në fokusin e punës së tij si deputet i kësaj zone. “Jam shumë krenar që kemi arritur të sjellim në qytetin tonë kompani të rëndësishme ndërkombëtare që kanë krijuar shumë vende pune. Shumë vite më parë askush nuk mund ta ëndërronte që kompani prestigjioze si Mercedez Benz, të prodhonte pjesë këmbimi në Librazhd. Tani kjo është e mundur. Po ashtu kemi edhe  kompani që prodhojnë veshje të specializuara të ushtrisë italiane apo vendeve të tjera europiane”, tha Balla.

Zhvillimi i agroturizmit, sipas tij, mbetet prioritet. “Zoti i ka falur Librazhdit plot bukuri natyrore që duhen vendosur në dobi të zhvillimit të rajonit. Përfundimi gjatë këtij viti i lidhjes me rrugë të Librazhdit me zonën e bukur të Stërblevës, por edhe aksesimi i zonës së Polisit me rrugë automobilistike sipas standardeve do të rrisin kapacitetet tona turistike”, tha ai.

“Gjatë këtyre viteve ne kemi qenë pjesë e sulmeve të padrejta që lidhen me mënyrën se si bashkia Librazhd ka trajtuar bukuritë natyrore. Jam shumë krenar të them se Librazhdi ka ruajtur me fanatizëm parqet e veta kombëtare. Parku i Shebenikut është më i mbrojturi në Shqipëri, një rezervë e madhe për të zhvilluar turizmin malor në Librazhd”, tha Balla.

Ai u ndal edhe te investimet në shëndetësi, duke theksuar se spitali i Librazhdit është transformuar dhe do të vijojë të transformohet duke garantuar më shumë shërbime cilësore për këdo. Ndërkohë, tha ai, ne kemi arritur t’i ndryshojmë faqen pothuajse pjesës më të madhe të Qendrave Shëndetësore në të gjitha njësitë administrative.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.