“Shtëpia ime”/ Ishëm, 500 aplikime nga 700 familje të dëmtuara; banorët për ATSH-në: Asnjë vonesë me dokumentet, presim nisjen e punimeve

 

TIRANË, 22 shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/- Në njësinë administrative Ishëm, pjesë e Bashkisë së Durrësit ritmi i aplikimeve për të përfituar nga Programi i Rindërtimit pas dëmtimeve në banes që la pas tërmeti tragjik i 26 nëntorit, është i lartë dhe numri total i tyre ka arritur 500. Rezulton se të gjithë banorët që aktualisht janë në çadra kanë aplikuar, ashtu sikurse 99% e familjarëve banesa e të cilëve është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit në nivelin DS-4 dhe DS-5

Kadri Gjyli, kryetar i Njësisë Administrative Ishëm, Bashkia e Durrësit bëri të ditur në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “99% e konstatimeve në terren kanë përfunduar. 700 janë shtëpi të dëmtuara. Nga këto 250 kanë dalë me shkallë dëmtimi DS 4 dhe DS 5. Kemi 100 familje që jetojnë në çadër dhe të gjithë këto kanë aplikuar për rindërtimin. Ndërsa në total kanë aplikuar 500 familjarë nga 700 familje të dëmtuara. Ndërsa sa i takon dëmtimeve DS 4 dhe DS 5 kanë aplikuar 99%, ndërsa familjet që nuk kanë aplikuar, janë ato që janë jashtë vendit dhe me të cilat kemi komunikuar dhe po vijnë ditë pas dite për të aplikuar”,- tha Gjyli.

“Jam Sabri Kodra, jam 92 vjeç, kushëri i piktorit Ibrahim Kodra”, tha një zotëri nga fshati Likmetaj,- “njësia administrative më ka ndihmuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Sot jetoj në çadër. Kam aplikuar të enjten e shkuar. I kam dokumentet në xhep, m’i dhanë te njësia”,- tha Kodra.

Gëzim Qemali, lindur dhe banues në Likmetaj, tregon se jeton me familjen në çadër, ndërsa shton se ka aplikuar para pak ditësh. “Jam vetë i katërt. Kam gruan dhe dy djemtë që jetojmë në çadër. Tërmeti i 26 nëntorit ashtu sikurse në të gjithë zonë dëmtoi rëndë edhe shtëpinë time. Erdhën ndihmat menjëherë, u sistemuam në çadër. Tani aplikuam dhe presim të na ndërtojnë shtëpinë”, u shpreh ai.

Mentor Xhelaluku, banor i Likmetaj, tha se ndihma e njësisë nuk i ka munguar. “Siç e shikoni kam nënën dhe fëmijët në çadër. Kadri Gjyli nuk ka munguar, na ka parë. S’kemi asnjë vërejtje. Kemi aplikuar me certifikatë. Çdo gjë është në rregull dhe kam letrat në dorë. Tani presim çfarë do bëhet”,- tha Xhelaluku.

Në njësinë administrative Ishëm, ekipi i ATSH-së takoi nga afër disa nga aplikuesit, ndërsa punonjësi i sportelit, Mirand Bafti tha se “presim qytetarët nga ora 08:00-18:00. Ne kemi katër sportele. Fluksi zakonisht deri në 13:00-14:00 ka shumë fluks. Numri aplikimeve shkon 70 kur është më e shumta, ndërsa punojmë dhe ditë të shtunë ose ditë të diel”-, tha Bafti.

Zyrie Kërtusha, banore e Ishmit tha se ka ardhur për aplikimet për banesën e saj. “Ne jemi 9-të vetë në familje. Kam ardhur të aplikoj. Disa i kam jashtë shtetit tani”,- tha zonja Kërtusha.

“Tërmeti na ka dëmtuar shtëpinë. Jemi 6 vetë dhe jetojmë në çadër. Erdha për aplikimin për fazën e parë të rindërtimit. Kam letrat me vete, lejen e legalizimit, planimetrinë e shtëpisë”,- tha Bajram Disha, banor i Ishmit.

Një 81-vjeçar tha se punonjësit e administratës punojnë edhe mbi orar kur i është kërkuar. “Po kemi ardhur të aplikojmë. Kur ka pasur fluks kanë ndenjur dhe mbi orar”, tha ai.

“Tërmeti më ka dëmtuar banesën në nivelin 5. Kam aplikuar si të gjithë të tjerat. Unë jam mësues i dalë në pension. Vonesa nuk ka pasur”,- tha Agim Muharremi për ATSH.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.