Përdorimi i telefonit në timon/ Rritje e gjobës deri në 60 mijë lekë, qytetarët për ATSH-në: Do ndikojë për ndërgjegjësim nga rreziku

 

TIRANË, 22 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/- Përdorimi i telefonit gjatë udhëtimit në automjet do gjobitet me masë administrative nga 30 000 deri në 60 000 lekë dhe me pezullim leje drejtimi.

Skënder Ismaili, shefi i Sektorit të Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, u shpreh se, ashpërsimi i sanksioneve do të luaj një rol për parandalimin e ngjarjeve rrugore. “Ashpërsimi i sanksioneve të kodit rrugor do bëhet realitet këtë vit dhe besoj se do të luaj një rol mjaft të lartë në parandalimin e ngjarjeve rrugore”,- tha Ismaili.

“Sanksioni administrativ për përdorimin e telefonit do të arrijë në masën 30 000 lekë dhe në rast përsëritje 60 000 lekë deri në pezullim të lejes së drejtimit. Sanksione që do ndërgjegjësojnë edhe më shumë qytetarët”,-nënvizoi Ismaili.

Ai në këtë drejtim solli dhe shembullin e rritjes së gjobës për mos vendosjen e rripit të sigurimit. “Policia nuk vendos gjoba, por ajo konstaton shkelje, të cilat shoqërohen me masa administrative. Shtetasit janë të lutur të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor për sigurinë e tyre. Në vitin 2017 kur u vendos rritja e gjobës për rripin e sigurimit nga 1 500 lekë në 15 000 lekë solli menjëherë rezultat. Përpara vitit 2017 nuk shikoje njeri të përdorte rripin e sigurimit, ndërsa sot kemi në 10 drejtues mjeti, 8-9 e kanë rripin e sigurimit”,- theksoi Ismaili për ATSH.

Agjencia Telegrafike Shqiptare, gjithashtu ka pyetur qytetarët për të kuptuar se si e presin këtë iniciativë. Qytetarët shprehen se ashpërsimi i gjobave do të sillte ndërgjegjësim të drejtuesve të mjeteve. “Në Greqi ishte 700 euro gjoba. Duhet patjetër të rritet”,- u shpreh ai.

Një zonjë u shpreh se rritja e gjobës do frikësonte përdoruesit. “Mendoj se po, do ndikonte. Duhet të rritet gjoba”,- tha ajo.

“Do e rriste më së shumti”,- tha një zonjë tjetër. Një zotëri u shpreh se duhet të rritet 4-5-fish gjoba për përdorimin e celularit. “Dikush i ndërgjegjshëm e kupton”,- tha dikush tjetër. “700 euro është gjoba në Greqi. Sa më shumë të rritet aq më mirë është”, tha ai.
“Duhet parë me kujdes, por sa më shumë të rritet aq më mirë”, tha një tjetër. “Unë jam vetë në timon, dhe gjoba nuk më pëlqen, por sa më shumë rritet aq më mirë”,- u shpreh një zonjë tjetër.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.