Muri antik i Lissusit, Lezhë/ Këshilli Kombëtar i Restaurimeve miraton projektin

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/- Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit: “Restaurimi dhe konservimi i murit antik rrethues nga kulla gjysmërrethore e anës jugore të fortifikimit të Lissusit deri tek Porta e Gaviarit dhe ambientet e qytetit të mesëm të Lissusit”, Lezhë.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë dhe strukturorë të murit rrethues dhe ambienteve të qytetit të mesëm të Lissusit antik.

Sipas Institutit Kombëtar të Trashigimisë Kulturore, fragmentimi i blloqeve antike ku është parashikuar të ndërhyhet është rreth 50 m linear i gjatë, që fillon nga porta e vogël që njihet ndryshe me emrin “Porta e Burimit” deri tek Porta e Gaviarit”.

Ky segment shfaqet në gjendje relativisht të mirë, por janë shfaqur rrëshqitje të një blloku atik nga fragmentet e murit, si dhe prani e vegjetacionit të shumtë që dëmton muret dhe zonë përreth.

Ndërhyrjet e parashikuara sipas projektit, konsistojnë në ringritjen e mbi 1 blloku antik të rrezuar përgjatë viteve si dhe në pastrimin e vegjetacioneve.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet se, mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore, që janë asete me vlera historike dhe ekonomike për vendit.

/e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.