Kuçovë/ Investimet në vepra publike, më shumë shërbime për qytetarët

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/- Puna me legalizimet po vijon me ritme të përshpejtuara, të gjitha aplikimet për legalizim nga qytetarët, të bëra mē herët në Berat, janë transferuar tanimë në Kuçovë duke i hapur kështu drite jeshile kryerjes së tyre nga Kadastra Kuçovë, të cilës do i shtohet edhe personel i ri inxhinerior (2-4 vetë) për përballimin e gjithë volumit të punës.

Kështu deklaroi deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj, e cila shprehet se, gjithashtu edhe puna me statusin e naftëtarëve ka vijuar me ritme të kënaqshme. Nga 650 aplikime, 430 pensionistë e kanë përfituar tanimë të ardhurën financiare shtesë nga statusi.

Ndërkohë në periferi të Kuçovës vijon puna për projektin e ujësjellësit për të siguruar kështu, furnizimin me kohë të plotë me ujë edhe të shumë familjeve të vendosura në dhjetëvjeçarët e fundit në këto pika. Ndërkohë vendoset sistemi i ri i kanalizimeve, çka do të lejojë mandej dhe zbatimin e projekteve që i përkasin infrastrukturës rrugore.

“Fillimi i punimeve të ujësjelllesit ka shërbyer për sistemimin në punë të 20 vetëve nga Zyra e Punës Kucovë dhe ky është një shembull i mirë i zgjidhjes së problemeve me papunësinë, veçanërisht për ata që iu mungon shkollimi apo një profesion në tregun e punës. Asgjë nuk është e thjeshtë dhe as e lehtë për t’u mbërritur, por ndërveprimi na ka dhënë të kuptojmë se mund të thyejë çdo barrierrë”- shprehet Felaj, deputete e kësaj zone. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.