Ndahet nga jeta kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Haxhi Memolla

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ Është ndarë sot nga jeta kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Haxhi Memolla.

Memolla ka ndërruar jetë në moshën 52-vjeçare si pasojë e një infarkti. Ai ka qenë në qytetin e Peshkopisë për të parë ndeshjen Korabi-Egnatia. Memolla është ndarë nga jeta pas një infarkti teksa konsumonte kafe në një nga lokalet pranë stadiumit.

Menjëherë ai është dërguar në spitalin e Peshkopisë por nuk ka mundur që të mbijetojë duke u ndarë nga jeta në moshën 52-vjeçare.

Ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj i shprehu ngushëllime familjes me fjalë të ndjera për humbjen e mikut të tij të dashur.

“Pa fjalë nga ikja e papritur dhe e parakohshme nga jeta e Haxhiut!
Humbëm sot një mik të dashur. Ngushëllimet më të ndjera familjes. U prehsh në paqe, Haxhi”, -thotë Ahmetaj.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në mesazhin e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të Memollës, thotë së familja e tij e nderuar humbi sot një njeri të dashur, miqtë humbën Haxhiun e gjendur dhe zemërmirë, socialistëve të Rrogozhinës iu largua para kohe një përfaqësues i denjë dhe Rrogozhinës iu ndërpre në mes mandati i një Kryetari i cili çdo ditë i shërbeu me përpikmëri banorëve të saj.

“Lamtumirë i dashur mik dhe shok Haxhi Memolla! Sot u nda papritmas nga jeta Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë Haxhi Memolla. Si mik dhe shok i vjetër në familjen tonë socialiste e kam pak të vështirë të lidh apo të përmbledh në disa fjalë ngushëllimin për familjen, për miqtë dhe qytetarët e Rrogozhinës.
Familja e madhe dhe e nderuar Memolla humbi sot një njeri të dashur, miqtë humbën Haxhiun e gjendur dhe zemërmirë, socialistëve të Rrogozhinës ju largua para kohe një përfaqësues i denjë, Rrogozhinës iu ndërpre në mes mandati i një Kryetari i cili çdo ditë i shërbeu me përpikmëri banorëve të nderuar të kësaj Bashkie”, -thotë Balla.

Gjithashtu, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëherazi zëdhënëse e  qeverisë, Elisa Spiropali ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryetarit të bashkisë së Rrogozhinës Haxhi Memolla. “U prehtë në paqe shpirti yt i mirë”, shprehet Spiropali.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut të tij , kryebashkiakut të Rrogozhinës, Haxhi Memolla.

“Shpesh zoti na shtyn për mirësi, përqafime e bashkëpunim pa e kuptuar pse. Por me sa duket ka një pse! Prehu në paqe miku ynë, Haxhi Memolla, kryetar i Bashkisë Rrogozhinë! Ike beftas e dhurove veç buzëqeshje, dashuri e përkushtim për qytezën e vogël e gjithë ne që të njohëm”, u shpreh Veliaj.

Edhe Alfred Peza, sekretar për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat i ka shprehur ngushëllimet familjes.

“Jam pa fjalë për lajmin e pabesueshëm, se miku im Haxhi Memolla, kryetari i bashkisë së Rrogozhinës është ndarë në mënyrë të papritur nga jeta.
Është një humbje e jashtëzakonshme për familjen e tij të mrekullueshme, të afërmit dhe bashkëpunëtorët. Do na mungojë urtësia, humanizmi dhe dashuria e tij për qytetin dhe qytetarët.Të qoftë i lehtë dheu vëlla dhe qofsh i Parajsës”, -thotë Peza.

Klubi i Futbollit të qytetit të Peshkopisë, Korabi i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të kryebashkiakut të Rrogozhinës Haxhi Memolla për ndarjen nga jeta të tij pas një infarkti teksa konsumonte kafe në një nga lokalet pranë stadiumit.

“I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes dhe qytetarëve të bashkisë Rrogozhinë, për humbjen e kryetarit të bashkisë, Haxhi Memolla i cili u nda nga jeta pas një infarkti ndërkohë që po konsumonte një kafe në një nga lokalet e qytetit të Peshkopisë”, -thuhet në faqen zyrtare të Klubit të Futbollit të Korabit.

Memolla u zgjodh kryetar i bashkisë së Rrogozhinës në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.