“Një hap për Durrësin”, maratona sensibilizuese pas tërmetit të 26 nëntorit

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ “Një hap për Durrësin” titullohet aktiviteti që do të zhvillohet të dielën më 23 shkurt në qytetin bregdetar, në kuadër të sensibilizimit të qytetarëve pas tërmetit të 26 nëntorit.

Marshimi do të fillojë në 9:30 ku do të bëhet dhe ceremonia e hapjes pranë Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe do të vijojë më pas me garën dhe pas saj ceremoninë e shpalljes së fituesve.

Në vijim, prej orës 11:30 me përfundimin e ceremonisë së fituesve e deri në 13:30, Durrësi do të ndizet nga koncerti me muzikë live.

““Një Hap për Durrësin” është një vrapim sensibilizues dhe jo një garë e mirëfilltë. Më shumë se çdo here tjetër ka shumë pak rëndësi nëse ecën apo vrapon, nëse arrin i pari apo i fundit, për sa kohë bëhemi bashkë dhe hedhim një hap përpara”, thekson bashkia e Durrësit.

Iitinerari i maratonës përshkon të gjithë qytetin e Durrësit, një një distancë prej 5 kilometrash. Kjo maratonë nuk është vetëm një garë sensibilizuese, por në të njëjtën kohë është edhe një garë promovuese për qytetin.

Sipas bashkisë, për shkak të marshimit sensibilizues me një itinerar prej 5 km, por edhe për arsye sigurie, shumë rrugë do të bllokohen prej orës 9:30-11:00, si më poshtë: sheshi “Liria”, bulevardi “Dyrrah”, rruga “Hafiz Podgorica”, rruga e “Dëshmorëve”, rruga “A. Goga”, bulevardi “Epidamn”, rruga “Anastas Durrsaku”, rruga “Epikateve”, rruga “Taulantia”, hyrja nr 1 e portit (hyrja kryesore) dhe dalja nr 2 në port.

Qyteti i Durrësit ishte më i prekuri nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.