Ndalimi në Portin e Vlorës i anijes që transportonte mbetje të rrezikshme, Ndreu sqaron procedurat e ndjekura

 

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Paulin Ndreu, sqaroi sot procedurat e ndjekura pas njoftimit për ndalimin në Portin e Vlorës të anijes që transportonte mbetje të rrezikshme.

Mallrat nuk ishin deklaruar në dokumentin e deklarimit të mbetjeve, që çdo anije dorëzon në portin ku mbërrin, ndaj është bërë bllokimi i anijes deri në vendimin përfundimtar të organeve të specializuara.

“Kemi ngritur grupin e inspektimit, për verifikimin e mënyrës së transportimit të këtyre mbetjeve nga Italia në Shqipëri. Grupi i inspektimit i përbërë nga Kontrolli Shtetëror Portual bëri inspektimin e detajuar të gjithë procedurës së këtyre mallrave dhe mori deklarimin edhe të kapitenit dhe oficerëve të anijes mbi mënyrën dhe sjelljen e këtyre mbetjeve, pasi në dokumentacion rezulton se këto mallra nuk ishin deklaruar në dokumentin e deklarimit të mbetjeve që çdo anije dorëzon në portin ku mbërrin.
Në këto kushte ne kemi bërë bllokimin e anijes deri në vendimin përfundimtar të organeve të specializuara dhe vlerësimin e materialeve të rrezikshme nga laboratorët përkatës.
pas kësaj do të japim vlerësimin për këtë anije masat për shkeljen e konventave ndërkombëtare”.

“Linja e kësaj kompanie Vlorë-Brindisi- Vlorë e tragetit “ST Damian” ka qenë një nga linjat, e cila është vëzhguar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare edhe për veprat e kundraligjshme detare edhe për mënyrën e operimit dhe thyerjen e rregullave dhe urdhrave në ujërat detare të Republikës së Shqipërisë dhe anijes tjetër “Red Star” i është hequr licensa. Kjo kompani ka qenë problematike dhe ne kemi marrë masa duke e mbajtur në vëzhgim dhe monitorim”, – nënvizoi Ndreu.

Sipas tij, ky është rast i rëndë sepse krijon precedent të rrezikshëm për jetën dhe shëndetin e pasagjerëve që vijnë me anije, por edhe në vendin ku ato groposen.

“Pas vlerësimit të situatës dhe inspektimit të detajuar nga Kontrolli Shtetëror Portual nesër do bëjmë edhe njoftimin e shtetit të flamurit, pasi kjo është një anije me flamur të huaj dhe si anije me flamur të huaj ka edhe disa të drejta dhe detyrime në shtetet që operon.
Nesër do bëjmë njoftimin që kjo anije me flamur panamez është bllokuar në ujërat territoriale në Portin e Vlorës për shkelje të rënda të konventave Marpol dhe Solas dhe në këto kushte do bëhet vlerësimi i situatës nga organet e specializuara dhe do të kalohet në gjykatë për vendimmarrje për bllokim ose masa të tjera administrative deri në largimin nga Shqipëria”, – tha Ndreu./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.