Mosnjohja e Kosovës nga Xhamajka, Konjufca: Do të ndërmarrim veprime

PRISHTINË, 21 shkurt/ATSH/ Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, reagoi sot pas skandalit në lidhje me mosnjohjen e pavarësisë nga ana e Xhamajkës.

Konjufca tha se ishte informuar përmes postës elektronike nga ambasadorja, Vlora Çitaku, dhe se një informacion i një ambasadori konsiderohet akt i mirëqenë.

“Mbrëmë, ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka. Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë”, tha Konjufca.

Konjufca shtoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën e Kosovës në SHBA në lidhje me situatën e krijuar, ndërsa tha se pas shqyrtimit do të marrin veprime.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatën e krijuar. Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit”, përfundoi Konjufca./KosovaPress/ /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.