Meta: Do të padis ministren Gjonaj për shpërdorim detyre, pres dorëheqjen

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ -Presidenti i Republikës Ilir Meta ka paralajmëruar sot në një konferencë për shtyp se do të kallëzojë penalisht Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtare u njohën dje publikisht me veprat e rënda penale të shpërdorimit të detyrës, të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe falsifikimit flagrant të kryera nga institucioni i ministrit të Drejtësisë, në lidhje me botimin e paligjshëm dhe kriminal në fletoren zyrtare të një vendimi të një organi të pavarur siç duhet të jetë Këshilli i Emërimit në Drejtësi”.

Meta tha se, “në këtë tentativë flagrante për grusht shteti, bazuar mbi provat e bëra publike ditën e djeshme, të cilat  do t’i dorëzohen SPAK, rezulton se është përfshirë drejtpërdrejtë Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, por dhe funksionarë të lartë të këtij institucioni, në varësi të saj, për llogari të skenarit mafioz të kapjes së Gjykatës Kushtetuese, duke përvetësuar në mënyrë mafioze, një kompetencë dhe pushtet që Kushtetuta ia jep Presidentit të Republikës”.

Meta u shpreh se, “Ministrja e Drejtësisë duke  urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të dërgonte për botim në Fletoren Zyrtare një vendim të KED ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”, si dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Sipas Kushtetutës dhe këtyre ligjeve vendimet e KED nuk botohen as në Fletoren Zyrtare dhe asgjëkundi tjetër, por publikohen vetëm në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë në pjesën e dedikuar posaçërisht për KED”.

Ndërkohë shtoi Meta, “Ministrja e Drejtësisë nuk ka asnjë rol dhe asnjë të drejtë që të dërgojë për botim në Fletoren Zyrtare aktet e KED, apo të ndërhyjë në procesin e emërimit apo zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues, duke arritur deri në veprime flagrante si urdhërimi i botimit ende pa iu kërkuar zyrtarisht nga askush”.

“Po mbushen 24 orë nga bërja publike e këtyre shkeljeve skandaloze të Kushtetutës dhe të ligjeve nga Ministria e Drejtësisë, e cila përmes shpërdorimit të detyrës, falsifikimeve dhe ndërhyrjeve të paligjshme në proces ka konsumuar në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të këtij institucioni disa vepra penale. Për këtë arsye dhe prova të tjera që po sigurohen  brenda ditës së hënë do të depozitoj pranë SPAK kallëzimin penal për ministres në detyrë të Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe jo vetëm.

Meta u shpreh se duke qenë se ministrja Gjonaj e ka humbur tërësisht besimin e Presidentit të Republikës të shprehur me dekret për emërimin e saj do të mirëprisja brenda ditës së hënë dorëheqjen e saj dhe të përballet me drejtësinë thjesht si një ish-ministre, duke evituar kështu detyrimin, por edhe precedentin që Kryetari i Shtetit të padisë një ministër që ushtron këtë detyrë”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.